75 Mall Live Search
10:45 / E Premte, 27 Shtator 2019 / indeksADMonline

Jepen për të parën herë viza turistike ndërkombëtare në Arabinë Saudite

Arabia Saudite do të hapë për herë të parë dyert për turistët ndërkombëtarë, nën një regjim të ri vizash, që do të shpallet sot në mbrëmje, deklaroi Komisioni saudit për Turizmin dhe Trashëgiminë Kombëtare.

Kjo lëvizje është pjesë e përpjekjeve të mbretërisë për të rritur turizmin.

Riadi synon të rrisë vizitat ndërkombëtare dhe vendëse në 100 milionë në vit deri në vitin 2030.

“Lejimi i turistëve ndërkombëtarë në Arabinë Saudite është moment historik për vendin tonë”, u ka deklaruar sot medieve kryetari i këtij komisioni, Ahmad Al-Khateeb.

Arabia Saudite ka qenë gjithmonë një ndër vendet më të vështira për të lejuar vizitat e turistëve, duke dhënë viza vetëm për udhëtime afatshkurtra biznesi, pelegrinazhi fetar ose për udhëtarët me familje në këtë vend.

Detajet në lidhje me skemën e re të vizave dhe planet më të gjera të turizmit do të njoftohen sot në një mbrëmje gala.

Mbretëria tepër konservatore është në përpjekje për të tërhequr pushuesit ndërsa kërkon të diversifikojë ekonominë e vendit dhe të limitojë varësinë e saj nga nafta.