11:34 / E Enjte, 17 Shtator 2020 / indeksADMonline

PK-ja, në bashkëpunim me FBI-në, arreston 3 persona të dyshuar për krime kibernetike

Sektori për hetime të krimeve kibernetike në Policinë e Kosovës, pas një hetimi të gjatë dhe në bashkëpunim me autoritetet e SHBA-së, konkretisht me FBI-në si dhe në mbështetje të Prokurorit të Shtetit – PTH Prishtinë, më 16.09.2020 pas marrjes së veprimeve hetimore dhe operacionale ka arrestuar tre persona të dyshuar se kanë kryer veprën penale ”Hyrje në sistem kompjuterik”.

“Të dyshuarit ishin pjesë e një grupi hakerësh, ata shënjestronin platforma të ndryshme online të cilat posedonin të dhëna kompjuterike të ndjeshme. Pastaj, në bashkëveprim me njëri tjetrin përmes sistemeve kompjuterike kanë krijuar një platformë online e qasshme vetëm në DARKWEB (DARKWEB ka të bëj me internetin e fshehur i cili përdoret për qëllime të paligjshme) dhe përmes saj është kryer veprimtari e paligjshme kibernetike.Në këtë platformë të dyshuarit në vazhdimësi kanë vendosur dhe shitur të dhëna të ndryshme elektronike, të cilat paraprakisht i kanë siguruar përmes veprimeve të paligjshme online, si kredit kartela të vjedhura në shumë shtete të botës, viruse të ndryshëm kompjuterikë, “mjete” për sulme kibernetike, e-mail adresa dhe fjalëkalime, numra të telefonit si dhe të dhëna tjera”, thuhet në njoftimin për media, transmeton Indeksonline.

Tutje theksohet se këto të dhëna dhe “mjete” kanë mundësuar edhe kryerjen e veprimtarive tjera kriminale.

Të dyshuarit e arrestuar janë:

– E.J, 1998;

– Ç.B, 1998;

– V.S, 1996.

Janë kontrolluar dy lokacione dhe në cilësinë e provave janë sekuestruar:

– Shtatë shtëpiza kompjuteri;

– Tre kompjuterë llaptopë;

– Katër hard disqe;

– Shtatë telefona mobilë;

– Pesë USB memorie;

– Dy mikro SD memorie;

– Para të gatshme – 2625 euro;

– Dokumentacione të ndryshme.

Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore./Indeksonline/