Në bastisjen për dyshimet me dallavere në BSK u gjenden edhe dy armë, kontrata dhe ujdi mes palëve
Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik, se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria e Krimeve Ekonomike në Prishtinë, pas një hetimi disa mujor duke zbatuar masat e veçanta hetimore, sot me datë 08.01.2026 kanë zhvilluar një aksion në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me ç’rast janë arrestuar tridhjetenëntë (39) persona të dyshuar, janë sekuestruar një milion e treqind mijë e tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë (1.300.886) euro në gjirollogari bankare, të holla kesh 23.700,00 Euro, ari, aksesor, orë dore, dy (2) armë zjarri, pajisje elektronike, kontrata dhe ujdi.
Të pandehurit në vazhdimësi, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të Byrosë Kosovare të Sigurimit, pa dokumentacion mbështetës, me dokumente të falsifikuara, me transaksione fiktive, të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej një milion e dyzetë e tre mijë e dyqind e dyzetë e tetë (1.043,248) euro. Me këto veprime ekziston dyshimi i arsyeshëm në kryerje të veprave penale “Keqpërdorimi i besimit” nga neni 330, veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 284, veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 si dhe veprën penale “Keqpërdorimi i besimit” në ndihmë nga neni 330 të KPRK-së.
Në hetime kanë qenë të përfshirë dyzetë e shtatë (47) persona në cilësinë e të pandehurve, përfshirë një (1) person juridik, të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh dhe brenda afatit ligjor për të njëjtit Prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
Në këtë aksion kanë qenë të përfshirë 8 Prokurorë të Shtetit, si dhe rreth 400 zyrtarë policorë.

