11:13 / E Mërkurë, 18 Maj 2022 / A. M.

Në bazë të dënimit të shpallur nga Gjykata Speciale, Haradinaj e Gucati pritet të kthehen në Kosovë në këtë vit!

25 shtator 2020 ishte dita kur ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan nga hetuesit e Gjykatës Speciale në Prishtinë me pretendimin se publikuan dokumente të Speciales.

Dokumentet ishin sjellë nga persona të panjohur (të maskuar) në zyrat e OVL-së së UÇK-së gjatë vitit 2020.

Gjykata Speciale mori vendim që Gucati e Haradinaj të dënohen me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë. Kësisoj, nga ky dënim do të përllogaritet edhe periudha e kaluar në paraburgim.

Në bazë të kalendarit, dy ish-drejtuesit e OVL-UÇK do të lirohen në mars të 2025-s, që i bije se do të qëndrojnë në Speciale edhe 2 vite e 10 muaj.

Ndryshe, trupi gjykues, në seancën finale theksuan se Haradinaj dhe Gucati qëllimshëm kishin zbuluar informacionet e mbrojtura dhe rrezikuan dëshmitarët. Është konstatuar edhe pengesa e zyrtarëve në kryerjen e detyrës zyrtare.

Në aktakuzë sqarohet se dokumentet e zbuluara nga OVL-ja kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /Indeksonline/