12:56 / E Premte, 07 Gusht 2020 / indeksADMonline

Në dhomat siriane të torturave, regjimi i presidentit Bashar al-Asad akuzohet për krime lufte

Regjimi i presidentit sirian Bashar al-Asad akuzohet për torturimin e mijëra civilëve në vitet e shkuara, të dokumentuar edhe me fotografi nga dhomat e burgimit. Identitetet e qindra viktimave janë zbuluar rishtas.

Me mbështetjen e organizatave për të drejtat e njeriut, familjarët e qindra viktimave të torturuara në Siri po identifikohen nëpërmjet fotove të shkrepura nga regjimi sirian.

Rreth 53.275 fotografi të fshehura në disqe dhe karta kompjuterike u siguruan nga ish-fotografi i ushtrisë siriane i njohur me pseudonimin Çezari në vitin 2014, përpara arratisjes.

Funksioni i tij ishte të ruante pamje të torturave dhe vdekjeve të 6.785 të arrestuarve që ruheshin në dhomat ushtarake të burgimit.

Shumë mbeten të shpërfytyruar dhe vetëm 900 veta janë identifikuar, mes tyre një i ri që e ëma 74-vjeçare, Xhuria Ali, thotë se e kujton teksa largohej për herë të fundit në punë drejt kryeqytetit.

Këtë fat rezervoi jeta edhe për një 25-vjeçar tjetër student të stomatologjisë, të rrëmbyer në vitin 2012 nga kampusi universitar i Damaskut.

“Për tetë vite e kam pritur me sytë nga porta për ta parë. Por më treguan fotot e tij i vdekur. Sa do kisha dashur të kisha ikur vetë para se ta shihja ashtu. Më mirë t’i kishin drejtuar plumbin sesa ferrin që kaloi.”

“Me këtë rast kuptova se vdekja nuk kthehet dhe falë Zotit u flijua herët dhe nuk vuajti si të tjerët, nuk u torturuar si ata, nuk u sëmur si ata, nuk ngeli pa bukë deri sa të bëhej skelet.”

Në intervistën e tij të fundit për këtë çështje, pesë vite më parë, presidenti Bashar al-Asad mohoi ekzistencën e dhomave të torturës dhe vërtetësinë e fotove.

Shumë prej të rinjve të arrestuar atëkohë ishin pjesë e rebelëve që kundërshtonin pikërisht regjimin e tij, dhe pasi ndaleshin rastësisht në postblloqet e policisë, ata dënoheshin.

“Fotot e Çezarit na japin prova të pamohueshme se qeveria siriane i ka dënuar dhe zhdukur njerëzit e vet, duke i torturuar për vdekje. Na tregon edhe se çfarë ndodh në ndërtesat e burgimit ku askush nuk ka akses, keqtrajtimet, kushtet e higjienës, urinë dhe vuajtjet në përgjithësi.”

Në muajin qershor Shtetet e Bashkuara të Amerikës aplikuan sanksionet më të ashpra kundër regjimit sirian, duke e fajësuar për krime lufte kundër civilëve.

Pas nëntë viteve luftë që ka vrarë më shumë se 1 milion persona dhe ka lënë pa strehë mbi gjysmën e popullsisë, qeveria e Asadit vitet e fundit ka përkrahjen e Rusisë dhe Iranit në përballjen me forcat rebele.