Në ditëlindjen e 22-të të Policisë së Kosovës, Kurti nderon zyrtarët policorë dhe ata që vdiqën në krye të detyrës

22 vite më parë është themeluar Policia e Kosovës. Lidhur me këtë ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti thotë se Policia e Kosovës është një prej institucioneve shtetërore, pa të cilën nuk mund të ketë pavarësi e drejtësi, shkruan Indeksonline.
Në këtë 22 vjetor, Kurti nderon punën e 9180 zyrtarëve policorë që i shërbejnë atdheut.
Po ashtu, kryeministri Kurti nderon edhe policët që vdiqën në krye të detyrës.
Postimi i plotë:
Me rrënjët te lufta çlirimtare dhe te lëvizjet e rezistenca e popullit tonë për liri, Policia e Kosovës është një prej institucioneve shtetërore, pa të cilën nuk mund të ketë pavarësi e drejtësi.
Në 22 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, nderojmë punën e 9180 zyrtarëve policorë, gra dhe burra që i shërbejnë atdheut dhe përpjekjes së Kosovës për një Republikë demokratike e sovrane, ku mbretëron ligji.
Kujtojmë sot e përherë policët që me ndjenjën e lartë të detyrës e të patriotizmit ranë për një Kosovë të lirë e demokratike, shtet të së drejtës për të gjithë.
Qeveria do të ofrojë mbështetjen e pakursyer në misionin e përbashkët për të luftuar krimin dhe për ta bërë Kosovën një vend më të sigurt dhe më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës sonë.