16:11 / E Premte, 03 Gusht 2018 / indeksADMonline

Në ditën e Diasporës – ndahen çmimet vjetore “Mërgimtar i Vitit”

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në një ceremoni solemne të mbajtur në rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova ka ndarë çmimet “Mërgimtari i Vitit” në fushat e parapara sipas ligjit në fuqi.

Gjatë kësaj ceremonie, ku si nikoqir ishte zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, morën pjesë edhe ministri i Diasporës i Maqedonisë, Edmond Ademi, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, familja e presidentit Ibrahim Rugova, si dhe tenori me famë botërore, Ramë Lahaj, transmeton Indeksonline.

Në këtë ceremoni iu ndanë çmimet pjesëtarëve të diasporës shqiptare për kontributin e tyre dhënë në fushat e ndryshme gjatë vitit, për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor, historik e gjuhësor shqiptar.

Çmimet u ndanë si vijon:

Çmimin “Mërgimtar i vitit” në fushën e arsimit, shkencës dhe teknologjisë  e mori Besnik Miftaraj.

Çmimi “Mërgimtar i vitit” në fushën e kulturës iu dha tenorit të njohur Ramë Lahaj.

Çmimi “Mërgimtar i vitit” në fushën e sportit iu dha dy futbollistëve  shqiptarë  Granit Xhaka dhe   Xherdan Shaqiri.

Çmimi “Mërgimtar i vitit”  në fushën e veprimtarisë afariste iu dha  Bekim Brestovcit.

Çmimi i Nderit iu nda z.Rosario Petta, kryetar i komunës Hora Arbëreshëvet në Sicili, dhe z.Agron Bajrami, themelues e koreograf i shkollës së vallëzimit “Shota” në Zvicër.

Çmimi “Mërgimtar i vitit”  iu dha  Mark Gjonajt, ndërsa  çmimi “Post Mortem”  iu nda ish- futbollistit Fadil Vokrri, njeriu që bëri shumë për njohjen e sportit në arenën ndërkombëtare.

Po ashtu, po në këtë ditë u dhanë edhe çmimet për shkrimin/kronikën ose emisionin më të mirë për diasporën.

Çmimi për emisionin më të mirë televiziv iu dha gazetarit nga Danimarka Ixhet Lutfiu për dokumentarin “Zëri i shqiptarëve të Danimarkës, vitet 1965 -1999”.

Çmimi për shkrimin më të mirë në media/portale iu dha gazetares Elvira Berisha për shkrimin “Realiteti politik i SHBA-së në qëndisjet e artistes shqiptare”.

Ndërsa në bashkëpunim me Komunën e Skenderaj, më 1 gusht u mbajt manifestimi qendror në Prekaz/Skenderaj. Manifestimi nisi me homazhet te varrezat e Jasharëve, për të vazhduar në Skenderaj, me një koncert festiv për nder të bashkatdhetarëve.

Në këtë manifestim, përveç ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi,  qenë të pranishëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i shtetit për Diasporën i Shqipërisë, Pandeli Majko, kryetari i bashkisë Piana degli Albanesi në Sicili, arbëreshi Rosario Petta, e përfaqësues të tjerë të institucioneve të vendit.

Ministri Gashi dhe homologu i tij, Pandeli Majko, theksuan se nga Prekazi përçohet mesazhi se diaspora është një dhe e pandarë./Indeksonline/