09:15 / E Enjte, 09 Maj 2019 / indeksADMonline

Në Ditën e Evropës, Haradinaj i kërkon BE-së liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar qytetarët për Ditën e Evropës, duke u zotuar se do të vazhdoj përkushtimin për integrim në BE.

Në një postim në Facebook, Haradinaj i ka bërë thirrje shteteve të BE-së që mos të vazhdojnë të mbajnë të izoluar qytetarët e Kosovës, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i Haradinajt:

Kosova shënon Ditën e Evropës sot, sepse jemi pjesë gjeografike, ideologjike, dhe identitare e familjes evropiane, ndër shekuj. Qytetarët dhe institucionet e Kosovës sot kanë aspiratë të vetme integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, për të kontribuar në prosperitetin, paqen, sigurinë, dhe drejtësinë e kontinentit tonë. Më shumë Evropë në Ballkan do të thotë më shumë mundësi, rritje, shkëmbim e zhvillim.

Në shënimin e Ditës së Evropës këtë vit, Kosova zotohet fuqishëm për të vazhduar përkushtimin e pandalshëm për integrim në BE dhe për mbrojtje të vlerave demokratike të cilat na bashkojnë. Po sot, i bëjmë thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të BE-së, që të njohin dhe pranojnë të arriturat e Kosovës, dhe të mos vazhdojnë të mbajnë qytetarët e Kosovës edhe më tutje padrejtësisht të izoluar nga familja që i takojnë.

Urime Evropë – Kosova është e jotja!