Në Ditën Ndërkombëtare të Ecjes së Lirë në Natyrë, kërkohet të ruhet më shumë mjedisi
Mëngjesin e sotëm parku nacional “Gërmia” “vërshoi” nga shumë fëmijë të Shkollës së Gjelbër në Prishtinë, përveç shumë qytetarëve që kishin dalë për të ecur, ata ia mësynë natyrës për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Ecjes së Lirë në Natyrë.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkorganizim me MASHT-in dhe OJQ–të mjedisore për nder të kësaj dite organizuan këtë aktivitet, që u konsiderua si shumë i rëndësishëm për ruajtjen e ambientit dhe promovimin e shëndetit.
Në emër të MMPH-së foli zëdhënësi, Leutrim Sahiti, i cili tha se krahas angazhimeve të shumta të tyre, duhet të kenë fokus që të krijohet një lidhje më e fortë e qytetarëve me natyrën.
“Krahas angazhimeve të Ministrisë së Mjedisit për të pasur një ambient më të pastër dhe mjedis më të mirë, aktivitetet të tilla kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve që të kemi një kujdes më të shtuar për natyrën. Të kemi një lidhje më të fortë shpirtërore mes qytetarëve dhe natyrës, në mënyrë që të kemi një shëndet më të mirë. Ecja në natyrë sigurisht ndikon pozitivisht në ruajtjen e shëndetit, ne duhet të kemi një vetëdijesim prej qytetarëve që të shfrytëzohen sa më shumë këto hapësira gjelbëruese dhe parqe”, tha Sahiti.
Për rëndësinë e mjedisit foli përfaqësuesi i Institutit për Mbrojtjen e Natyrës, Sami Behrami, i cili me këtë rast kërkoi nga institucionet që të kenë interes më të veçantë në ruajtjen e parkut “Gërmia”.
“Iu bëj apel të gjithëve që ta ruajmë “Gërminë” sa më tepër, meqenëse qysh po thuhet në terminologjinë e re paraqet një lloj të mushkërive të kryeqytetit”, tha ai.
Ndërkaq, përfaqësuesja e OJQ-ve për mbrojtjen e mjedisit, Melina Muça, theksoi nevojën që ruajtja e mjedisit të promovohet më shumë dhe të krijohen parakushte nga institucionet për të jetuar shëndetshëm.
“I ftoj institucionet lokale dhe qendrore që të marrin masa, të ofrojnë parakushte për të krijuar mundësi për të jetuar shëndetshëm”, u shpreh Melina.
Dita Ndërkombëtare e Ecjes së Lirë në Natyrë është një aktivitet që po bëhet i përvitshëm në Kosovë.