19:42 / E Diele, 12 Gusht 2018 / indeksADMonline

Në Egjipt zbulohet sfinksi i dytë?

Sfinksi i dytë, për të cilin në Egjipt është folur shumë, dyshphet të jetë gjetur derisa punëtorët po përgatisnin të ndërtonin një rrugë të re.

Sipas raporteve lokale sfinksi u gjet në rrugën Al-Kabbash që lidh dy tempujt Karnak dhe Luxor që janë ndërtuar 1400 vjet para Krishtit. Është konfirmuar se statuja ka një trup të luanit me kokë njerëzore, transmeton KosovaPress.

Sfinksi i dytë ende nuk është nxjerrë nga toka, por ministri i Antikiteteve Khaled al-Anani ftoi turistët për të vizituar vendin për të parë statujën derisa fotografitë ende nuk janë publikuar, shkruan Egypt Today.

Sfinksi i madh i Gizës u zbulua pranë piramidave të mëdha në brigjet perëndimore të lumit Nil dhe është skulptura më e vjetër dhe më e madhe monumentale e njohur në botë. Ajo është 73 metra e gjatë dhe 20 metra e lartë. Sfinksi që është gjetur ende nuk mund të gërmohet për shkak të natyrës së terrenit dhe mjedisit rrethues.

Egjiptianët e lashtë e konsideronin sfinksin si një simbol të mbretërive, dhe faraonët do të kishin kokat e tyre të gdhendura në gur, të cilat pastaj vendoseshin në varret e tyre. Kjo njihej si një mënyrë për të shënuar marrëdhëniet e tyre me Sekhmet, hyjninë diellore, që besohej të ishte një luaneshë.

Në fund të vitit 2017, historianët besonin se sfinksi i madh i Gizës ishte një hyrje në një qytet të fshehtë nëntokësor, i cili u fsheh nga autoritetet egjiptiane. Arkeologët gjithashtu besojnë se sfinksi qëndron mbi një rrjet kompleks tunelesh me pasazhe që çojnë në një metropol masiv nëntokësor.