21:18 / E Hënë, 23 Gusht 2021 / OSH

Në Ferizaj ndezen qirinjtë për Marigona Osmanin, 18 vjeçaren e cila u vra dje

Sonte në Ferizaj janë ndezur qirinjë për 18 vjeçaren, Marigona Osmani e cila gjatë ditës së djeshme u dërgua pa shenjta jete në Qendrën Emergjente të qytetit.

Ndryshe, edhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thirrur një protestë për nesër në orën 12:00, pas vrasjes së 18-vjeçares.

Protesta pritet të mbahet pranë Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë në Ferizaj, në shenjë revolte ndaj dhunës.

Ndryshe, pasi mjekët në spital e kanë konstatuar vdekjen e viktimës, Policia e Kosovës ka filluar mbledhjen e informacionit për kërkimin e dy personave që dyshoheshin se e kanë dërguar viktimën në spital.

Policia ka arritur gjatë ditës së djeshme të siguronte pamje nga kamerat e sigurisë në spital, ku shiheshin dy personat e dyshuar dhe gjithashtu vetura me të cilën e kishin sjellur vajzën në spital.

I dyshuari i parë, Arbër Sejdiu, ishte arrestuar dje, ndërsa i dyshuari tjetër, Dardan Krivaqa, vazhdon të jetë në arrati.

Daja i viktimës 18-vjeçare, Marigona Osmanit, ka deklaruar për media se viktima ka qenë duke bashkjetuar me të dyshuarin që është në arrati dhe kishin marrë bekimin nga familja e viktimës për martesën e tyre.

Ai ka deklaruar se familja e viktimës kanë qenë në dijeni se bashkëshorti i vajzës së tyre ka të kaluar problematike, por se kanë menduar se shkaku i dashurisë mes tyre nuk do të ketë probleme, duke thënë se edhe vetë çifti janë deklaruar se po kalojnë mirë.

Ndaj të dyshuarit Arbër Sejdiu është vendosur tashmë masa e paraburgimit, për shkak se dyshohet për bashkëkryerje të veprës “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.8 me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.S.,më 22 Gusht 2021, gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër D.K., ka ushtruar dhune psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës, ku, me këtë rast i njëjti (A.S.) ka kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht në vdekjen e të ndjerës, ku më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur, me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.8 me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Deri më tani është raportuar se i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, i cili ndodhet në paraburgim, nuk ka deklaruar asgjë në lidhje me rastin e vdekjes së 18-vjeçares, por ka thënë se vetëm i ka dëgjuar disa të bërtitura.