Në Francë protesta masive kundër ligjit të ri të Macron: Burg ose 45 mijë euro gjobë kush filmon policët gjatë detyrës

Policia franceze ka shpërndarë me gaz lotsjellës protestuesit që ishin mbledhur në një tubim kundër një projektligji, që kërkon të sanksionojë si vepër penale, filmimin ose fotografimin e policisë me qëllim dashakeqës.
BBC, raporton se përleshjet filluan pasi disa nga persona nga turma hodhën gurë dhe fishekzjarre ndaj policisë. Gjatë përleshjeve u dogj një makinë dhe një kioskë gazete, si dhe u arrestuan me dhjetëra persona. Kundërshtarët thonë se projektligji minon lirinë e shtypit për të dokumentuar brutalitetin e policisë.
Por qeveria thotë se kjo do të ndihmojë mbrojtjen e oficerëve nga abuzimi në internet. Të Shtunën, protesta pati edhe në Bordo, Lille, Montpellier, Nantes dhe qytete të tjera në të gjithë Francën.
Shkaku i revoltës ka nisur që prej fillimit të javës, pas publikimit të pamjeve ku tre policë të bardhë rrihnin një producent me ngjyrë në studion e tij. Imazhet, të cilat tregojnë Michel Zecler duke u shkelmuar dhe grushtuar në studion e tij në Paris, kanë tronditur kombin.
Presidenti Emmanuel Macron e përshkroi incidentin si “të papranueshëm” dhe “të turpshëm”, duke kërkuar propozime të shpejta të qeverisë se si të rindërtojmë besimin midis policisë dhe qytetarëve.
Në Paris, sipas ministrisë së brendshme, rreth 46,000 njerëz u mblodhën në pjesët qendrore të kryeqytetit. Shumica marshoi paqësisht, por grupe të vogla u përplasën me policinë e vendosur në qytet. Autoritetet thanë se u bënë 46 arrestime dhe më shumë se 20 policë u plagosën.
“Ky projektligj synon të minojë lirinë e shtypit, lirinë për të informuar dhe lirinë e shprehjes,” u cituan organizatorët e protestës të thoshin nga agjensia e lajmeve AFP. Të shtunën në mbrëmje, Ministri i Brendshëm Francez Gérald Darmanin dënoi dhunën “e papranueshme” ndaj policisë.
Projekt-ligji u mbështet javën e kaluar nga dhoma e ulët e parlamentit dhe tani po pret miratimin e senatit. Neni 24 i legjislacionit të propozuar e bën një vepër penale botimin e imazheve të punonjësve të policisë në detyrë me qëllim të dëmtimit të “integritetit fizik ose psikologjik” të tyre. Projektligji parashikon që ata që filmojnë policinë do të përballen me deri një vit burg dhe gjobitje me vlerë 45,000 €. Qeveria argumenton se projektligji nuk rrezikon të drejtat e medias dhe qytetarëve të zakonshëm për të raportuar abuzimet policore – dhe synon vetëm t’i japë mbrojtje oficerëve të policisë. Por kundërshtarët thonë se pa imazhe të tilla, asnjë nga incidentet e ndodhura gjatë javës së kaluar nuk do të kishte dalë në dritë. Përballë kritikave në rritje të publikut, Kryeministri Jean Castex tha të Premten se do të caktojë një komision për të ndryshuar nenin 24.