Në Itali i frikësohen Kosovës, nuk e duan përballjen me “Dardanët” në “play-off”

Rilindja e Italisë nën drejtimin e trajnerit Gennaro Gattuso vazhdoi në rundin e fundit të kualifikimeve për Botërorin, me fitore të lehta ndaj Estonisë dhe Izraelit.
Megjithatë, fitorja 5-0 e Norvegjisë ndaj Izraelit në Oslo gjatë së njëjtës ndërprerje ndërkombëtare i la skandinavët tre pikë para në krye të Grupit I.
Përveçse nëse ndodh një kombinim i jashtëzakonshëm i rezultateve në dy rundet e fundit, Italia do t’i drejtohet sërish fatit të “play-off” për të tretin cikël radhazi kualifikimi.
Kështu, mediumi italian “Football Italia” ka vlerësuar kundërshtarët e mundshëm të Italisë në këtë “play-off”.
Ndër kundërshtarët e mundshëm të Italisë në këtë fazë kualifikimi mund të jetë edhe kombëtarja e Kosovës, e cila megjithatë ende s’e ka siguruar vendin e dytë në Grupin B, i cili të dërgon në “play-off”.
Kosova ka shtatë pikë nga katër ndeshje, teksa Sllovenia i ka tri pikë. Ndeshja e ardhshme në këtë grup për Kosovën do të jetë pikërisht ndaj këtij kundërshtari. Me një pikë të fituar në Ljubjanë, Kosova do të siguronte pozitën e dytë.
Për Kosovën, “Football Italia” ka thënë se nuk duhet nënvlerësuar një ndeshje ndaj tyre.
“Kosova është një tjetër kundërshtare e mundshme për Italinë në ndeshjet “play-off”, pas fitores së bujshme 1-0 ndaj Suedisë në ndeshjen e fundit kualifikuese.
Ky rezultat e la Kosovën në vendin e dytë në Grupin B, tre pikë prapa Zvicrës, me edhe dy ndeshje të mbetura. Nëse “Dardanët” shmangin humbjen në ndeshjen e ardhshme kundër Sllovenisë në transfertë, ata do të siguronin përfundimisht vendin e dytë në grup.
Fitorja ndaj Suedisë përbën një “dopietë” të pabesueshme kundër një kombëtareje që shihej si favorite për kualifikim të drejtpërdrejtë.
Suedezët kishin në sulm Alexander Isak-un dhe Viktor Gyökeresin, por nuk arritën të çajnë mbrojtjen e fortë dhe të organizuar të Kosovës.
Një ndeshje “play-off” kundër Italisë do t’i jepte Kosovës një tjetër mundësi për të mposhtur një nga kombëtaret më të mëdha në botë — dhe do të ishte gabim t’i nënvlerësohej shansi i tyre”, shkruan mediumi italian.
Kosova do të luajë ndaj Sllovenisë më 15 nëntor, teksa e pret Zvicrën më 18 nëntor, me këto dy ndeshje që mbyllin ciklin e tretë kualifikues të Kosovës për Botëror.