75 Mall Live Search
17:33 / E Mërkurë, 07 Tetor 2020 / indeksADMonline

Në Itali po vazhdon rritja e frikshme e personave të prekur me COVID 19, regjistrohen 31 viktima dhe 3678 raste të reja

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë Italiane, gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 31 viktima nga koronavirusi. Totali i vdekjeve që nga fillimi i emergjencës shëndetësore është rritur në 36.061

Gjithashtu autoritetet e shëndetësisë raportuan se sot u regjistruan edhe 3678 raste të reja pozitiv (dje ishin 2677), për një total prej 333.940 të prekurish nga Covid prej fillimit të pandemisë

Numri i pacientëve të shëruar sot ishte 1204 kurse totali është 235.303. Në Rajonin e Lombardisë gjatë 24 orëve të fundit u raportua për 5 viktima dhe 520 raste të reja pozitive.

Qeveria italiane bëri sot të detyrueshëm përdorimin e maskave ​mbrojtëse në mjediset e jashtme, si pjesë e masave të reja të kontrollit për të frenuar përhapjen e COVID-19.

“Kërkesa e re u miratua në një takim të Kabinetit, i cili zgjati, gjithashtu, gjendjen e jashtëzakonshme të lidhur me virusin deri më 31 janar”, tha një zëdhënës i qeverisë.

“Maskat e fytyrës duhet të vendosen në çdo kohë, përveçse kur ndodheni në situata të izoluara, si të qenët vetëm në një park”, tha zëvendësministrja e Shëndetësisë, Sandra Zampa, për televizionin publik RAI.

Nga masa përjashtohen fëmijët nën 6 vjeç dhe personat me aftësi të kufizuara ose me gjendje mjekësore të papajtueshme me maskat e fytyrës.

Rastet totale Covid në botë kanë tejkaluar 36 milionë kurse viktimat janë mbi një milion.