Në Kalanë e Rozafës në Shkodër zhvillohet sonte nata e tretë e festivalit Zâ Fest

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga dy netët e para të këtij festivali ku kanë marrë pjesë mijëra qytetarë dhe artdashës.
“Sot nata e tretë plot tinguj në Kalanë magjepsëse të Rozafës, një festival i nisur nga hiçi pak vite më parë e i organizuar bukur, falë një djali energjik e plot ide, Vlashent Sata dhe mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, po edhe falë këmbënguljes së deputetes Edona Bilali, shembull për t’u ndjekur nga të gjithë për angazhimin e pandërprerë në komunitet”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kalaja e Rozafës mirëpriti mbrëmjen e djeshme natën e dytë të edicionit të 6-të të festivalit Zâ Fest.
Artistët Elina Duni, Vlashent Sata, Amor Del Rey, Lylnit performuan këngët më të njohura të repertorit të tyre për artdashësit shkodranë dhe jo vetëm.
Zâ Fest me misionin e tij kryesor, promovimin e traditës, vlerave dhe kulturës së Shkodrës, më herët është zhvilluar edhe në Theth, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh. Kësaj here vëmendja mbetet brenda qytetit, e sidomos te kalaja e Rozafës. /KultPlus.com