Në kampin “Vrella” u mbajt ceremonia e dorëzim-pranimit të poligonit të gjuajtjes dhe poligonit me pengesa, të rinovuar nga KFOR-i

Sot, në Qendrën e Njësive të Specializuara në Vrellë, u mbajt ceremonia e dorëzim-pranimit të poligonit të gjuajtjes dhe poligonit me pengesa, rishtazi të rinovuar nga ushtarët profesionalë të KFOR-it, përfshirë ushtarët amerikanë.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të Policisë së Kosovës dhe përfaqësues të lartë të KFOR-it, përfshirë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, përfaqësuesin e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it kolonel Ferrara, komandantin e KFOR-it amerikan kolonel Helzer si dhe kolonel Mentor Shabani, drejtor i Departamentit të Njësive Speciale.
Me nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan drejtori i PK-së, kolonel Hoxha dhe komandanti i KFOR-it amerikan kolonel Helzer, të cilët theksuan se bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve ndërvepruese si dhe përkrahja dhe mbështetja në fusha të ndryshme teknologjike e logjistike, siç janë edhe poligoni i gjuajtjes dhe rinovimi i poligonit me pengesa, ndihmojnë në realizimin e detyrave, trajnimeve dhe aktiviteteve policore, në interes të ruajtjes së rendit e sigurisë publike si
dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.
Drejtori Hoxha dhe koloneli Helzer, në shenjë mirënjohje për përkrahje dhe bashkëpunim të ndërsjellë institucional, shkëmbyen nga një pllakatë, ndërsa në shenjë falënderimi ndanë mirënjohje edhe për ushtarët e kontingjenteve të shteteve të ndryshme, si dhe për zyrtarët e
Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, për punën dhe kontributin e tyre të përbashkët në renovimin e poligonit.
Kjo dëshmon bashkëpunimin e shkëlqyer që Policia e Kosovës ka me KFOR-in, bashkëpunim ky i cili ndikon në paqen dhe sigurinë e vendit.



