Në Kosovë më pak sipërfaqe e shfrytëzuar e tokës bujqësore

Gjatë vitit 2024, rezultatet e anketës së Agjencisë së Statistikave tregojnë se sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ishte 420 mijë e 228 hektarë (përfshirë tokën e përbashkët), ku krahasuar me vitin paraprak 2023 (që ishte 420 mijë e 688 hektarë) ka një rënie të sipërfaqes së tokës në shfrytëzim prej 456.3 hektarë.
Agjencia e Statistikave e Kosovës njofton se nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në vitin 2024, pjesa më e madhe u përket livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) që ishte 216 534,33 ha (51,53%), krahasuar me vitin paraprak 2023 (që ishte 216 979,55 ha) ose 51,58%.
“Rënia e sipërfaqes së shfrytëzuar te toka e përbashkët ishte si rezultat i rënies së numrit të blegtorisë”, thuhet në njoftim.
Sipas ASK-së, toka e punueshme – arat marrin pjesë me 44,93% dhe kopshtet me 0,22% në gjithsej sipërfaqen e shfrytëzuar të tokës bujqësore.
“Gjatë vitit 2024, gjithsej toka e punueshme – arat ishte 188 795.00 ha. Pjesa më e madhe ishte me: drithëra (125 274,35 ha, ose 66,4%); bimë foragjere (37 117.13 ha, ose 19,7%); perime në fushë të hapur, në serra dhe në kopshte (9 827.39 ha), prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra ishin 8 914,65 ha ose 4,7%; patate (3 806.07 ha ose 2,0%); bishtajore (2 929.40 ha ose 1,6%); bimë industriale (1 689.82 ha ose 0,9%); kultura të tjera (2 633.81 ha ose 1,4%) dhe tokë djerrinë ishte 6 429.78 ha ose 3,4%”, njofton ASK.
Ndërkaq, sipërfaqe e ujitur, të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës në vitin 2024, ishte 34 mijë e 70 hektarë.
Kurse, gjithsej sipërfaqja e trajtuar me pesticide në vitin 2024 ishte 122 mijë e 570 hektarë.
Sa i përket deleve, gjatë vitit 2024 numri i tyre ishte 211, 220, ku krahasuar me vitin paraprak 2023 (që ishte 207 123 dele), ka një rritje të lehtë.
Ky publikim ofron të dhëna në formë përmbledhëse për: kulturat bujqësore bimore (shfrytëzimin e tokës bujqësore, prodhimtarinë bimore, inputet bujqësore (plehrat minerale, organike, pesticidet)); blegtorinë (therjet, shitjet, produktet blegtorale) dhe shpenzimet në ekonomitë bujqësore.
