Në Kosovë vijnë edhe dy gazetarë nga Ukraina

Liudmyla Mekh dhe Serhii Shevchenko janë dy gazetarët ukrainas të radhës, të cilët do të strehohen në Kosovë.
Atyre sot u është siguruar qëndrimi në Kosovë, pasi po largohen prej Ukrainës për shkak të luftës, raporton Indeksonline.
Mekh dhe Shevchenko kanë ardhur në Kosovë si pjesë e programit “Journalists in Residence – Kosovo”.
Ata janë vendosur në Prishtinë, dhe do të kenë mundësinë që të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë nga Kosova.

Lajmin për strehimin e tyre e ka bërë të ditur kryeministri i vendit, Albin Kurti.
“Kosova u bë sot shtëpi e dy gazetarëve të tjerë ukrainas përmes programit Gazetarët në Rezidencë në Kosovë të sponsorizuar nga qeveria jonë. Mirë se vini Liudmyla dhe Serhii. Kombet përcaktohen në kohë grindjesh dhe vështirësish, po kështu edhe njerëzimi. Ne qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën” ka shkruar Kurti në Twitter.
Kjo gjë u përshendet nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias.
“Faleminderit për mbështetjen tuaj” i replikuan ata Kurtit.
Një muaj më parë, në Kosovë erdhi gazetarja e parë nga Ukraina.
Lyudmila Makey u prit në Kosovë pikërisht nga kryeministri Kurti, teksa falendëroi vendin për strehimin dhe solidaritetin./Indeksonline/