75 Mall Live Search
22:38 / E Mërkurë, 19 Shkurt 2025 / AR

Në kulmin e tensioneve për Ukrainën, SHBA teston raketën bërthamore “Minuteman III”

Forcat Ajrore amerikane kanë testuar një raketë balistike ndërkontinentale, të quajtur “Minuteman III”, që është lëshuar nga baza e Forcave Hapësinore Vandenberg, në Lompoc të Kalifornisë.

Raketa balistike ndërkontinentale “Minuteman III” u lëshua nga baza e kontesë Santa Barbara rreth orës një të mëngjesit të së mërkurës.  Lëshimi i saj ishte një demonstrim i gatishmërisë së arsenalit bërthamor amerikan.

Qëllimi është “të demonstrojë gatishmërinë e forcave bërthamore të SHBA-së dhe të ofrojë besim në efektivitetin e parandalimit të sulmeve bërthamore ndaj vendit”, u tha në një njoftim të Komandës së Forcave Ajrore.

“Minuteman” është një armë e fuqishme, e aftë për të mbajtur tre koka bërthamore që mund të arrijnë objektiva më shumë se 6000 milje larg, sipas Forcave Ajrore.

Nëse niset nga baza e Vandenberg ajo mund të godasë deri në Polin e Veriut, në jug deri në pikën më të afërt të Antarktidës, në perëndim deri në Filipine dhe në lindje deri në Spanjë.

Minuteman mund të udhëtojë deri në 15,000 mph – rreth 25 herë më shpejt se një avion tipik pasagjerësh dhe pothuajse 70 herë më shpejt se Ferrari më i shpejtë. Është 18.25 metër e gjatë dhe peshon rreth 40 ton.

Forcat Ajrore Amerikane kanë 400 raketa “Minuteman III” në shërbim në bazat në Ëyoming, Montana dhe North Dakota. Këto raketa kanë qenë një shtyllë e forcës së armëve bërthamore të Amerikës që nga vitet 1970, dhe shumica e infrastrukturës themelore të sistemit ende përdor pajisjet origjinale.

Duke filluar nga viti 2029, Forcat Ajrore synojnë të fillojnë gradualisht zëvendësimin e “Minuteman III” me një arsenal të modernizuar të raketave LG-35A Sentinel.

Derisa të arrihet aftësia e plotë e raketave Sentinel në mesin e viteve 2030, Forcat Ajrore thonë se janë të përkushtuara për të siguruar që Minuteman III të mbetet një parandalues i zbatueshëm. (A2 Televizion)