12:25 / E Mërkurë, 08 Korrik 2020 / indeksADMonline

Pronarët e lokaleve në Malishevë janë të obliguar t’i zbatojnë vendimet, përfshirë edhe mosorganizimin e dasmave

Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Malishevës, sot edhe njëherë përmes mjeteve të informimit, ashtu sikur janë njoftuar edhe drejtpërdrejt, i njofton publikisht të gjithë pronarët e lokaleve hoteliere, apo sektorin e gastronomisë, se vendimi i Qeverisë së Kosovës, e ndalon punën e tyre nga ora 21:00-05:00, e me këtë ndalohet edhe organizimi i dasmave apo ahengjeve në të gjitha sallat apo lokalet hoteliere.

“Bazuar në vendimin 01/10 të 05.07.2020, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndalohet puna e sektorit të gastronomisë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, nga ora 21:00 deri në ora 05:00, ndërsa jashtë këtij orari, puna lejohet në lokale që kanë hapësirë të jashtme dhe shërbimi “merr me vete”, pra brenda lokaleve nuk lejohet ushtrimi i veprimtarisë, deri në një njoftim tjetër dhe rrjedhimisht me këtë ndalohet edhe organizimi i dasmave dhe ahengjeve”, ka bërë drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Malishevë, Dibran Kastrati.

Kastrati, u bën thirrje të gjithë pronarëve të sektorit të gastronomisë, që të zbatojnë këto masa dhe vendime qeveritare, pasi ato kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës dhe janë marrë në kuadër të masave për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së COVIDIT-19.

“Mbrojtja e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, është obligim i të gjithëve, andaj ne si inspektorat jemi të detyruar t’i zbatojmë ligjet në fuqi, për marrjen e masave ndaj atyre që nuk i zbatojnë këto vendime”, ka njoftuar drejtori Kastrati.


“Qytetarë të nderuar, ne jemi të detyruar të zbatojmë të gjitha masat dhe vendimet, me qëllimin e vetëm, të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, prandaj, të jemi të durueshëm dhe të gjithë së bashku, ti ndihmojmë edhe sektorin e shëndetësisë dhe të gjitha organet tjera të sigurisë, që ta kalojmë këtë pandemi, duke e ruajtur shëndetin e popullatës, të afërmit dhe familjet tona”, tha Kastrati, duke ju bërë thirrje të gjithëve, për zbatimin e masave dhe vendimeve për luftimin dhe parandalimin e COVIDIT-19.