75 Mall Live Search
11:34 / E Enjte, 16 Tetor 2025 / b l

“Në mbrojtje të lirisë” – protesta gjithëkombëtare nis nesër në Tiranë, shoqatat e dala nga lufta aktive në organizim

Këshilli koordinues i shoqatave të dala nga lufta, përfshirë SHBPK-në, Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe shoqërinë “Lëvizja”, mbajti sot një konferencë për media lidhur me protestën mbarëkombëtare që do të zhvillohet në Tiranë.

Kryetari i SHFDK-së, Xhavit Jashari, tha se qëllimi i protestës është kundërshtimi i padrejtësive ndaj krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se kjo është “një luftë e lavdishme që solli lirinë e Kosovës”.

Ai theksoi se protestat e mbajtura në Kosovë dhe Hagë kanë pasur ndikim, ndërsa kjo në Tiranë do të jetë “protestë gjithëkombëtare, e qetë dhe me përkrahje të gjerë”.

“Qëllimi i kësaj konference është protesta që po mbahet në kundërshtim të padrejtësive të luftës së lavdishme të krerëve të UÇK-së që po mbahet padrejtësisht në Hagë. Këtu jemi në këshill koordinues, por kemi kontakte edhe takime me të gjitha organizatat dhe qëllimi i mirë dhe i domosdoshëm është që bashkërisht të shfaqim shqetësimet dhe të bëjmë përpjekje ta synojmë atë që kanë pasur qëllim të parët tanë. Sot, një informacion i shkurtër — të gjitha këto organizata autoktone kanë punuar mjaftueshëm përmes përfaqësuesve jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, që protesta të jetë masive, të tregojmë që vlerat tona kanë përmasa ndërkombëtare. Falë kësaj lufte që e orientoj drejt edhe faktori i NATO-s, kemi dhe lirinë e Kosovës. Kur atakohet kjo luftë, ne e vlerësojmë se preket në lirinë e kësaj pjese të atdheut që quhet Kosovë. Kemi punuar që protestat në Kosovë që kemi mbajtur të jenë masive dhe mendoj që ne do të vazhdojmë sa herë të preket interesi ynë kombëtar. Qëllimi i këtij këshilli është të mbrojmë vlerat kombëtare. Kemi punuar aq sa kemi mundur që të kemi sukses me protestën në Prishtinë. Protesta në Hagë ka dhënë rezultatet e veta, ku është dërguar një mesazh për të gjithë ata që kanë bërë një gabim ndaj kësaj lufte. Protesta që do të mbahet në Tiranë ka përkrahje të madhe dhe është protestë gjithëkombëtare, ku pjesëmarrja e njerëzve do të argumentojë që kësaj lufte kombi dhe shteti po i bëhet padrejtësi. I bëj thirrje që të jenë të kujdesshëm, sepse protesta është e qetë. Do të jetë edhe kryeministri shqiptar në protestë”, ka thënë Jashari.

Ndërsa Shefik Sadiku, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, kërkoi që Gjykata Speciale të jetë transparente dhe të përfundojë sa më shpejt mandatin e saj, duke mos prodhuar më padrejtësi.

“Një prej kërkesave kryesore është që kjo gjykatë të jetë transparente dhe sa më shpejt të kryejë misionin e saj. Kjo gjykatë do të duhej që të mbyllte misionin e vet dhe të mos sharronte në padrejtësi më të mëdha. Sikur të kishin qenë pak fajtorë, shumë lehtë do të shmangeshin kësaj gjykate, por nuk e kanë ndjerë veten fajtorë. Prandaj i bëjmë thirrje publike edhe qeverisë së Kosovës, e cila i mbështet këto protesta, dhe presidencës po ashtu, që të kërkojnë rrugë diplomatike për të nxjerrë një rezolutë të re. Ne e mbështesim protestën që do të mbahet në Tiranë, uroj që të jetë më masive, e mbështesim edhe lëvizjen me motoçikleta nga Prekazi drejt Hagës. Ideja e lirisë është më e çmuar se gjithçka tjetër”, ka thënë ai.