15:12 / E Enjte, 23 Janar 2020 / indeksADMonline

Në MPB u mbajt takimi i radhës i Këshillit Shtetëror për Siguri Kibernetike

Këshilli Shtetëror për Siguri Kibernetike i Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot takimin e parë të rregullt për vitin 2020.

Ky takim i mbajtur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, u hap nga zëvendësministri në detyrë i MPB-së, Selami Shkodra, njëherësh Koordinator Kombëtar i Strategjisë Shtetërore për Siguri Kibernetike.

Gjatë këtij takimi, të gjithë anëtarët e Këshillit raportuan për nivelin e sigurisë kibernetike gjatë vitit të kaluar si dhe aktivitetet dhe masat që janë marrë lidhur me këtë çështje.

Zëvendësministri në detyrë Shkodra inkurajoi pjesëmarrësit që të vazhdohet më tutje me aktivitetet e tilla, pasi që ngritja e sigurisë kibernetike në gjitha institucionet publike është e domosdoshme.

Me këtë rast, Shkodra theksoi se siguria kibernetike vazhdon të jetë me prioritet të lartë në agjendën e MPB-së.