75 Mall Live Search
21:35 / E Enjte, 12 Shkurt 2026 / Z S

Në një operacion antidrogë, Policia e Kosovës sekuestron një armë automatike

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Mitrovicë-Jug, ka ndërmarrë një operacion të planifikuar policor në terren.

Sipas njoftimit operacioni është realizuar më 12.02.2026 pas një pune intensive hetimore dhe grumbullimit të informacioneve relevante.

‘’Rreth orës 17:40, në parkingun e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë, është ndaluar për verifikim një person i dyshuar.Gjatë kontrollit trupor, atij i janë gjetur tri qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë të përgjithshme 0.99 gram.Në konsultim me Prokurorin Kujdestar pranë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, është realizuar kontroll në banesën e të dyshuarit’’ thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se gjatë kontrollit të banesës është gjetur një armë e gjatë automatike me një karikator që përmbante 17 fishekë të kalibrit 9×19 mm, si dhe një pistoletë me një karikator të zbrazët.

Armët dhe substanca e dyshuar narkotike janë fotografuar, evidentuar dhe sekuestruar nga njësia e Krimteknikës Rajonale.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

Në koordinim me Prokurorinë, rasti është iniciuar për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Po ashtu, ndaj të dyshuarit është iniciuar edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas kodit penal të Republikës së Kosovës.

Hetimet lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar nga antidroga Mitrovicë-Jug.