S’jemi vetëm-studimi pretendon se 36 raca të huaja inteligjente jetojnë në galaktikën tonë

Dhjetëra alienë inteligjentë mund të jetojnë së bashku me ne në galaktikën Milky Way (Rrugën e Qumështit).
Pyetja nëse ka forma të tjera të jetës brenda universit tonë ka preokupuar prej kohësh shkencëtarët, shkruan DailyMail, transmeton Indeksonline.
Tani studiuesit e Universitetit të Nottingham kanë ndërmarrë një qasje të re për të vlerësuar numrin e civilizimeve të mundshme jashtëtokësore, duke përdorur supozimin se jeta inteligjente zhvillohet në planete të tjera ngjashëm si ajo në Tokë.
Ata llogaritin se galaktika jonë mund të ketë të paktën 36 raca të huaja inteligjente, të afta për të dërguar sinjale të radios në hapësirë.

Por ata thonë se distanca mesatare ndaj civilizimeve të tilla ka të ngjarë të jetë 17,000 vite dritë, duke e bërë zbulimin dhe komunikimin “shumë të vështirë” me teknologjinë tonë të tanishme.
Ekipi zhvilloi një model të ri për të vlerësuar numrin e tyre në galaktikën tonë, të cilat ata i quajnë kufi Astrobiological Copernican.
Modeli supozon se duhen rreth pesë miliardë vjet që jeta inteligjente të formohet në planete të tjera, si në Tokë, dhe se këto planete orbitojnë një yll me një përmbajtje të lartë metalike ashtu si Dielli.

Kjo ndryshon nga teknikat tradicionale, të cilat mbështeten në bërjen e supozimeve të vlerave në lidhje me jetën, ku mendimi ndryshon në mënyrë thelbësore, sipas studiuesve.
“Studimi ynë i ri thjeshton këto supozime duke përdorur të dhëna të reja, duke na dhënë një vlerësim të fortë të numrit të civilizimeve në galaktikën tonë”, shpjegoi autori i parë Dr Tom Westby.
Christopher Conselice, Profesor i Astrofizikës në Universitetin e Nottingham, i cili drejtoi studimin, tha se duhet të ketë të paktën ‘disa dhjetëra’ civilizime aktive në galaktikën tonë.

Hulumtimi tregon se numri i civilizimeve që mund të jemi në gjendje të zbulojmë varet nga sa kohë ata kanë dërguar në mënyrë aktive sinjale të ekzistencës së tyre në hapësirë, siç janë transmetimet radio nga satelitët ose televizioni.
Profesori Conselice shtoi se hulumtimi gjithashtu ofron të dhëna të rëndësishme për ‘të ardhmen dhe fatin’ e vetë civilizimit njerëzor.
“Nëse zbulojmë se jeta inteligjente është e zakonshme, atëherë kjo do të zbulonte se civilizimi ynë mund të ekzistonte për shumë më gjatë se disa qindra vjet.
Ndryshe, nëse zbulojmë se nuk ka civilizime aktive në galaktikën tonë, kjo është një shenjë e keqe për ekzistencën tonë afatgjatë”./Indeksonline/