Ndërpritet mësimi në Pejë, shkak dëmet nga erërat e forta

Komuna e Pejës ka njoftuar se në disa shkolla në Pejë është ndërprerë mësimi si shkak i dëmeve të mëdha në objekte, shkruan IndeksOnline.
“Shkollat e tjera inkurajohen që të vendosin vetë, drejtorët me Këshillin prindëror të shkollës, nëse ka kushte për mbajtjen e mësimit apo jo. Shtabi kërkon që shkollat të marrin vendime, duke vendosur prioritet sigurinë e nxënësve”, thuhet në njoftim.
Në Pejë sot është mbajtur, po ashtu mbledhja emergjente e Bordit të drejtorëve.
Ekipet emergjente do të dalin në terren për të vlerësuar situatat e krijuara nga erërat. Qytetarët që kanë pësuar dëme nga erërat e forta, këshillohen që të bëjnë fotografi, të përshkruajnë dëmet dhe ta dorëzojnë në Drejtorinë e Emergjencës sepse ekspertët do ta shyrtojnë lëndën.
“Në këtë mbledhje u shqyrtuan raportet e drejtorëve, të cilët paraqiten informata për dëmet e shkaktuara në shkolla, qendrat mjekësore, objektet bujqësore, gjendjen e rrugëve, dëmet në prona private, në zyrat administrative, objektet sportive dhe kulturore etj.
Si konkluzion u krijua Shtabi i emergjencës të cilin e kryeson z.Muhamet Mahmutaj, drejtor, i cili do ta marrë situatën në menagjim, do të pranojë dhe do të shqyrtojë kërkesat e qytetarëve dhe do të kujdeset për rritjen e sigurisë në qytet.
U konstatua se janë shkaktuar dëme të mëdha në disa objekte shkollore kështu që ato e kanë ndërprerë mësimin. Shkollat e tjera inkurajohen që të vendosin vetë, drejtorët me Këshillin prindëror të shkollës, nëse ka kushte për mbajtjen e mësimit apo jo. Shtabi kërkon që shkollat të marrin vendime duke vendosur në prioritet sigurinë e nxënësve.
Bazuar në dëmet e raportuara deri tani, duket se dëmet janë të mëdha. Meqenëse komuna i ka kapacitetet e kufizuara financiare, në ditët në vijim do t’i drejtohemi edhe nivelit qendror për të kërkuar ndihmë për që të riparohen dëmet e shkaktuara”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/