Në prag të fushatës, Kurti e Hyseni vënë gurthemelin për bulevardin e qytetit në Gjilan në vlerë prej 18 milionë euro

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e fillimit të punimeve për “Bulevardin e Qytetit” në Gjilan, projekt në vlerë prej 18 milionë euro, e që vjen në fund të mandatit të Alban Hysenit si Kryetar dhe në prag të fushatës për zgjedhjet lokale.
Në njoftimin e lëshuar nga ZKM thuhet se ky është investimi më i madh kapital ndonjëherë në këtë komunë dhe se bulevardi do të ketë një gjatësi prej 450 metrash.
“ Projekti përfshin ndërtimin e nënkalimit nga Stacioni i Autobusëve deri te objekti aktual i Komunës. Në kuadër të këtij projekti kapital do të jetë edhe ndërtimi i parkingut nëntokësor me rreth 500 vendparkingje në dy kate, si dhe ndërtimi i objektit të ri pesëkatësh të Administratës Komunale në një hapësirë prej 8600 m2”, thuhet në njoftim.
Sipas ZKM’së, kontrata e nënshkruar parasheh që punimet të finalizohen për dy vjet.
Në fjalën hyrëse, Kurti citohet të ketë thënë se Gjilani është duke u shndërruar në një “qendër zhvillimi e shembull i qeverisjes me vizion, punë e përkushtim, e mbi të gjitha, me duar të pastra.”
“Në këtë mandat janë sjellë mbi 73 milionë euro projekte, të cilat po e ndryshojnë pamjen dhe funksionimin e qytetit. Këto investime nuk janë vetëm shifra në tabela, por janë realitet i prekshëm, i ndjeshëm, i jetueshëm, i përjetueshëm, për të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit”, citohet të ketë thënë Kurti.