75 Mall Live Search
09:33 / E Premte, 15 Gusht 2025 / Pranvera Musa

Përurohet në Prishtinë renovimi i banesave sociale, 90% e financuar nga BE-ja

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka përuruar sot renovimin e katër ndërtesave shumë-banesore sociale në Komunën e Prishtinës, në kuadër të projektit për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se nga këto punime kanë përfituar 200 familje me gjithsej 790 banorë, me investim prej 1.24 milionë eurosh, nga të cilat 90% janë financuar nga Bashkimi Evropian.

“Sot në Prishtinë po inaugurojmë renovimin e 4 banesave sociale. Këto janë banesa për 200 familje gjithsej apo 790 banorë. Pas përfundimit të këtyre renovimeve, banorët sivjet do të kenë dimra më të ngrohtë dhe më të sigurt. Investimi i përgjithshëm është 1.24 milion euro, 90% nga BE-ja. Renovimi përfshin izolimin e kulmeve dhe mureve, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, si dhe vendosjen e sistemeve të reja të ngrohjes dhe masave të sigurisë. Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë prej 6 milionë euro për 28 ndërtesa sociale në 13 komuna, që përfshin 889 familje. Për këtë kemi planifikuar që gjatë qeverisjes së ardhshme t’i renovohet edhe 400 objekte anë e mbanë Kosovës”, tha Kurti.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se katër ndërtesat e Prishtinës janë pjesë e një grupi prej 28 ndërtesash në gjithë Kosovën, ku shumica do të përfundojnë para dimrit, përveç disa në Prizren që nisën më vonë.

“Ndërtesat që po përurojmë sot në Prishtinë janë 4 nga 28 në të gjithë Kosovën dhe shumica dërrmuese, përveç atyre të Prizrenit që kanë filluar me vonesë, do të përfundojnë para dimrit të këtij viti. Kjo është pjesë e një pako më të madhe prej 75 milionë euro që e kemi përfituar nga BE-ja”, tha ajo.

Ndërsa Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë theksoi se vetëm për dy ndërtesa sociale në Prishtinë janë investuar rreth 650 mijë euro, nga të cilat 90% nga BE-ja dhe 10% nga Komuna e Prishtinës. Ai tha se projekti ka mundësuar izolim termik, dritare të reja me efiçiencë energjetike, sistem ndriçimi, përmirësim të hapësirave të përbashkëta dhe zëvendësim të derës hyrëse.

“Projekti për këto dy ndërtesa sociale në Prishtinë, të cilat u financuan përmes paketave të mbështetjes energjetike të BE-së. Rinovimi i plotë i këtyre dy ndërtesave kushtoi rreth 650,000 euro, dhe 100 familje në nevojë sociale kanë përfituar nga ky investim. Investimi, siç e dëgjuat, financohet 90% nga Bashkimi Evropian, dhe bashkëfinancohet 10% nga Komuna e Prishtinës, dhe u zbatua nga Fondi për Efiçiencë të Energjisë i Kosovës. Ky projekt është pjesë e paketës së mbështetjes energjetike që u hartua së bashku me qeverinë dhe Fondin për Efiçiencë të Energjisë në fillim të vitit 2023. Projekti, siç mund të shohim, instaloi izolimin termik të ndërtesës, dritare të reja me efiçiencë energjetike, sistem ndriçimi, ka përmirësuar hapësirat e përbashkëta të ndërtesës, dhe është zëvendësuar edhe dera hyrëse. Jam i lumtur që paketa e mbështetjes energjetike po mundëson një investim kaq të rëndësishëm për përfitimin e qytetarëve, duke avancuar njëkohësisht tranzicionin energjetik të Kosovës”, tha ai.