75 Mall Live Search
17:32 / E Martë, 22 Tetor 2019 / indeksADMonline

“Në Qeverinë e re nuk do të ketë ministra jo kredibil”

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, që fituese e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje me kandidatin për kryeministër, Albin Kurti.

Tashmë duket se ka një dakordancë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për formim të Qeverisë së re dhe në qarqe të ndryshme kanë nisur edhe diskutimet për emrat e mundshëm të ministrave të rinj.

Përderisa ende nuk dihet saktë se kush do të jenë ministrat, ajo çfarë është premtuar nga VV dhe LDK është se në Qeverinë e re nuk do të ketë vend për ministra me të kaluar jo të pastër dhe që nuk janë kredibil.

“Në Qeverinë Kurti nuk do të këtë vend për njerëz me aktakuza dhe që janë përfolur për vepra të ndryshme penale”, kanë thënë në VV.

Ndërsa në LDK pohojnë se nëse arrihet koalicioni qeverisës me VV-në do të nxjerrin emrat më të mirë të partisë në krye të dikastereve.

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së ka thënë për Indeksonline se dikasteret të cilat do ti ndahen LDK-së do të drejtohen vetëm nga njerëz kredibil dhe me të kaluar të pastër.

“Në Qeverinë e re nuk mund të ketë vend për ministra me aktakuza, të dënuar ose që janë në procedura penale”, ka thënë Haziri për Indeksonline.

Aktualisht janë këto dy parti politike që po negociojnë për një koalicion të mundshëm qeverisës, ndërkohë Nisma Socialdemokrate ende shpreson për kalim të pragut zgjedhor dhe që do të jetë përcaktuese e qeverisë së ardhshme.

Ndonëse LDK është shprehur pro përfshirjes së Nisma’s në qeveri, në VV ende nuk janë deklaruar pro ose kundër./Indeksonline/