Në QKMF-në e Klinës, nga sot nis puna me kapacitete të plota

Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka njoftuar se sot ka vizituar QKMF-në, derisa ka thënë se në këtë institucion ka filluar të shtohet numri i kërkesave të pacientëve për vizita shëndetësore.
I njëjti ka thënë se pas lehtësimit të masave ndaj COVID-19 në QKMF në Klinë, stafi shëndetësor ka nisur punën me kapacitete të plota.
Ky është postimi i plotë i tij:
Pas lehtësimit të masave ndaj virusit COVID-19 dhe suksesit të treguar në menaxhim të situatës, sot kam vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nëna Terezë”, ku me drejtorin e Shëndetësisë, Hekuran Sejdiun dhe drejtorin e QKMF-së, Anton Shllakun, kemi biseduar për masat e reja që duhet të ndërmerren.
Në QKMF ka filluar të shtohet edhe numri i kërkesave të pacientëve për vizita shëndetësore, por nga sot stafi shëndetësor ka filluar të punoj me kapacitete të plota, për të iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.
Theksova se angazhimi i stafit shëndetësor gjatë periudhës së përhapjes së virusit ka qenë shumë i rëndësishëm dhe kërkoi që kujdesi ndaj pacientëve të jetë maksimal e i vazhdueshëm.
Për të rritur kujdesin ndaj stafit shëndetësor, pacientëve e qytetarëve, në hyrje të QKMF-së, kemi vendosur edhe një tunel dezinfektues.
Pasi kemi hyrë sot në fazën e tretë të lehtësimit të masave kundër virusit, ku janë hapur edhe kafenetë dhe restorantet, ftoj të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të i respektojnë udhëzimet e mjekëve dhe vendimet e institucioneve, pasi ende nuk ka kaluar rreziku nga virusi Covid-19.

