Në shkatërrimin e “Telekomit” të Kosovës kemi dorë të gjithë!

Debati për “Telekomin” e Kosovës, një prej kompanive më profitabile në Kosovën e pasluftës, nuk është i ditëve të sotme. Për te e rreth tij, kemi debatuar e jemi përplasur si shoqëri, që prej themelimit. Pra, edhe në kohën kur po lulëzonte financiarisht, edhe në kohën kur po binte, e deri sot, kur dhembshëm po rikapitulojmë përpjekjet e fundit të tij para shuarjes.
Dhe në natyrën njerëzore, është krejt normale, që në rrënim e sipër, të apostrofojmë shkaktarët që quan deri në ketë rrënim fatal të njërit prej aseteve me të rëndësishme tonat nacionale. Jo vetëm ekonomike natyrisht.
Jo, sepse “’Vala’ është e Kosovës”, nuk ka qenë dhe nuk është thjesht burim financiar i Kosovës, kompanive qe kanë gravituar rreth saj, të punësuarve etj, etj. Është më shumë se kaq. Është një prej frymëzimeve kryesore me të cilën kanë lindur e janë rritur evropianët e rinj të kontinentit të vjetër.
Dhe mëkati, thënë kushtimisht, nuk qëndron në faktin që ne sot si 20 vjet më parë diskutojmë për këtë gjigant ekonomik të Kosovës. Qëndron në faktin se në evidentimin e të vërtetave përreth tij, gënjejmë, shtrembërojmë, ikim, fshihemi dhe përpiqemi që apostrofojmë individ e kompani për kinse falimetimin e tij. E vërteta është që një kompani që për 20 vjet vetëm Qeverisë së Kosovës i ka paguar 600 milionë euro dividentë, nuk mundë të falimentohet nga individ, as nga një kompani.
Atë mund ta falimentojë shoqëria, që rrjedhimisht është edhe aksionari i saj kryesor. E kemi falimentuar ne!
Nuk ka dhe nuk mundë të gjesh, një pjesëz sado të vogël për nga ndikimi në shoqërinë e Kosovës, që nuk është i involvuar në ndonjë formë përfitimi në “Telekomin” e Kosovës këto 20 vjet. Pra nuk ka parti politike në pushtet e opozitë, shqiptar e jo shqiptar, nuk ka personalitet publik me ndikim, OJQ, media, aktivist të shoqërisë civile, biznese të vogla e të mëdha shoqata të bamirësisë, komunitete fetare etj etj etj…që nuk ka marrë e përfituar nga telekomi në njërën apo formën tjetër.
Prindër, fëmijë, gra e burra, vëllezër e motra, halla e teze, kunata e kunetër, fqinj e kushërinj të afërm e të largët, e deri tek dashnoret si pjesë e rëndësishme e zinxhirit neputik të të gjitha partive politike në Kosovë, i gjen sot të sistemuar në listat e pagave të Telekomit. Nuk mund të gjesh një figurë me ndikim sado të vogël në Kosovë që nuk e ka të punësuar në “Telekom” dikë nga lista e sipër cekur. Për hirë të së vërtetës rreth 70% e të punësuarve aktual në Telekom janë pa rol funksional, në shërbim të asaj për të cilën paguhen. Pra marrin rrogë dukë mos bërë asgjë në kohën kur pagat e telekomit të Kosovës, krahasuar me mesataren e pagave në Kosovë, janë ASTRONOMIKE.
Nuk ka kompani të fushës e jo vetëm, që në njërën ose në formën tjetër nuk ka qenë pjesë e zingjirit të bashkëpunëtorëve të jashtëm të Telekomit, dhe që nuk është paguar nga buxheti i tij keto 20 vite.
Nuk ka OJQ serioze e jo serioze, shume prej tyre fiktive, që për 20 vjet nuk ka marër fonde mbështeteëse nga “Telekomi”. As klub sportive, i madh e i vogël.
Nuk ka media në Kosovë, që për 20 vjet nuk ka marrë marketing nga telekomi i Kosovës. Të mëdha e të vogla. Opozitare e jo opozitare. Te gjitha bashkë, kanë marrë miliona nga “Telekomi” i Kosovës për shërbimet e tyre, shpesh herë të mbi vlerësuara.
Me fjalë të tjera, “Telekomi” i Kosovës në këto 20 vjet ka qenë adresë e të mirave të shoqërisë në Kosovë, pa dallim, dhe për të gjithë.
Andaj përpjekjet për të individualizuar në një adresë dështimin e tij, janë të pa sinqerta, të pasakta dhe të frustruara. Kjo nuk i amniston bllokuesit aktual të llogarive të “Telekomit”, që është pjesa e fundit e këtij trajlleri. Përkundrazi. Edhe ata janë shumë përgjegjës, por jo vetëm ata.
“Telekomi” i Kosovës, sikurse “Vala” si biologji e saj, janë të Kosovës, pra janë Kosova, jemi ne. Njëjtë si gjithçka në këtë vend. Krenarë për të kaluarën plot suksese e lavdi, e të turpëruar për të sotmen, të bërë pis e me marri.
(Në vijim të publikimeve për temë Indeksonline do të sigurojë materiale në mbështetje të të gjitha të vërtetave që u ofruan sot si pjesë e këtij teksti)