Gjatë shkurtit nis gjykimi ndaj të dyshuarve për vrasjen e Muhamed Likës
Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se gjatë shkurtit do të fillojë procesi gjyqësor ndaj gjashtë të pandehurve, të dyshuar për vrasjen e ish-zyrtarit policor, Muhamed Lika.
Sipas njoftimit të gjykatës, seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet më 12 shkurt, shkruan IndeksOnline.
Pesë të pandehurit, H.B., R.M., V.Ç., E.L., dhe SH.K., akuzohen se kanë kryer veprën penale: “Vrasje e rëndë”. Ndërkaq, D.G., është i akuzuar për kryerje të veprës penale: “Dhënie e ndihmës kryerësve, pas kryerjes së veprave penale”.
Gjyqtar i këtij rasti është njoftuar të jetë Ilir Bytyqi.
Njoftimi i gjykatës vjen 5 ditë pasi Prokuroria Themelore e Ferizajt ngriti aktakuzë ndaj gjashtë të lartpërmendurve.
Sipas prokurorisë, aktakuza u ngrit pas zhvillimit të hetimeve dhe sigurimit të provave.
LEXO EDHE:
Prokuroria bën të ditur se më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, afër vendbanimit të viktimës në Kaçanik, të pandehurit, në bashkëkryerje me të miturin R.B., me dashje dhe përgatitje paraprake, kanë privuar nga jeta zyrtarin policor, rreshterin Muhamed Lika, duke shtënë me armë zjarri.
Si pasojë e plagëve të marra, Lika ndërroi jetë, ndërsa të dyshuarit u larguan nga vendi i ngjarjes. Në vendin e ngjarjes, policia kishte gjetur katër gëzhoja plumbash.
Gjashtë të pandehurve iu caktua masa e paraburgimit, më 22 prill të vitit që lëmë pas./IndeksOnline/

