75 Mall Live Search
10:51 / E Enjte, 01 Gusht 2019 / indeksADMonline

Në Shqëri sekuestrohen 1.5 milionë llogari banke të përfituara nga burime të paligjshme

Policia e Shtetit në Shqipëri ka informuar opinionin se ka finalizuar operacionin “Investimi”.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 1,5 milionë euro llogari banke, të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme.

Ky është njoftimi:

Në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të paluajtshme dhe të shumave financiare, që dyshohet se janë përfituar nga burime të paligjshme, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Investimi”, për sekuestrimin e 1 500 000 euro llogari bankare, të një shtetasi, ish – punonjës i administratës shtetërore i cili në vitet 2006 – 2011 ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane.

Ky shtetas dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme.

Kohët e fundit, nëpërmjet një banke private, shtetasi i lartpërmendur ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat.

Për arsye se hetimet janë në vijim, nuk mund të jepen të dhëna të tjera.