75 Mall Live Search
07:40 / E Premte, 18 Korrik 2025 / mp

Në Shqipëri zbulohet vendbanimi më i vjetër liqenor në Evropë

Një ekip arkeologësh nga Zvicra dhe Shqipëria, të cilët punojnë në brigjet e Liqenit të Ohrit, kanë zbuluar vendbanimin më të vjetër njerëzor të ndërtuar në një liqen evropian.

Siç shkruan Reuters, ata kanë gjetur prova të një komuniteti të organizuar gjuetie dhe bujqësor që ka jetuar deri në 8,000 vjet më parë.

Ekipi i arkeologëve kanë gjetur shtylla druri të cilat janë përdorur për të mbajtur shtëpitë, eshtra kafshëshg shtëpiake dhe të egra, si edhe objekte bakri e qeramike me gdhendje të detajuara.

Albert Hafner, nga Universiteti i Bernës, tha se vendbanime të ngjashme janë gjetur në rajonet alpine dhe mesdhetare, por vendbanimet në fshatin Lin janë gjysmë mijëvjeçari më të vjetra, duke datuar midis 6,000 dhe 8,000 vjet më parë.

“Meqenëse është nën ujë, materiali organik është i ruajtur mirë dhe kjo na lejon të zbulojmë se çfarë kanë ngrënë këta njerëz, çfarë kanë mbjellë”, tha Hafner.

Studime të shumta tregojnë se Liqeni i Ohrit, i ndarë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, është liqeni më i vjetër në Evropë, me mbi një milion vjet jetë.

Mosha e gjetjeve përcaktohet nëpërmjet datimit me radiokarbon dhe dendrokronologjisë, e cila mat unazat vjetore të rritjes në pemë. Më shumë se një mijë mostra druri janë mbledhur nga vendi, i cili mund të ketë strehuar disa qindra njerëz.

Besohet se mbulon rreth gjashtë hektarë, por deri më tani, vetëm rreth 1% është gërmuar pas gjashtë vitesh pune.

Hafner tha se gjetjet tregojnë se njerëzit që jetonin në liqen ndihmuan në përhapjen e bujqësisë dhe bagëtive në pjesë të tjera të Evropës.

“Ata ende merreshin me gjueti dhe mbledhje gjërash, por të ardhurat e qëndrueshme për ushqimin vinin nga bujqësia”, tha ai.

Arkeologu shqiptar Adrian Anastasi tha se mund të duhen dekada për të eksploruar plotësisht zonën.

“(Nga) mënyra se si kishin jetuar, ngrënë, gjuajtur, peshkuar dhe nga mënyra se si arkitektura ishte përdorur për të ndërtuar vendbanimin e tyre, mund të themi se ishin shumë të zgjuar për atë kohë”, tha Anastasi.