Në Shqipëri po vazhdojnë të jenë shifrat e larta, 9 të vdekur dhe 321 raste të reja

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit 9 pacientë të infektuar nga pandemia e koronavirusit kanë ndërruar jetë. Gjithashtu mësohet se gjatë kësaj periudhe janë infektuar 321 persona.
Ministria ka vënë në dukje se aktualisht në tre spitalet Covid, po trajtohen 328 pacientë, 12 jaë në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.
“Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 9 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në 2 spitalet Covid: Një 44 vjeçar, një 70 vjeçar, 71 vjeçar, 78 vjeçar, dhe dy qytetare 84 vjeçare nga Tirana, 67 vjeçar nga Mallakastra, 74 vjeçar dhe 82 vjeçar nga Korça, me sëmundje bashkëshoqëruese”, thuhet tutje në njoftim.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1446 testime nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 321 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Në 24 orët e fundit janë shëruar 121 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 11,367 që nga fillimi i epidemisë.