75 Mall Live Search
08:26 / E Premte, 15 Gusht 2025 / G T

Finalizohet gjatë shtatorit plani për aleancën ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Konkretizimi i bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është paralajmëruar të ndodhë në shtator, kur parashihet të finalizohet plani i zbatimit të deklaratës së firmosur më herët nga ministrat e mbrojtjes së të tria shteteve.

Plani mes tjerash e përfshin edhe kontraktimin e armatimit, ku të tria shtetet synojnë ta bëjnë një porosi të vetme.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se kjo formë e kontraktimit e bën më të lehtë dhe me çmime të favorshme blerjen e armatimit.

“Edhe këto aspektet e pajisjeve me armatim janë nga një shtet apo partneri ynë kryesor strategjik, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe qëllimi i përbashkët i tri shteteve, që pas miratimit, pra, sikur që thashë, nga 18 korriku kur ka hy në fazën operacionale nga grupi punues, që do të përcaktojë cilat do të jenë ato lloje të armatimit që do të kenë një porosi të përbashkët nga këto tri shtete. Edhe vetë ndërveprimi, edhe në aspektin e stërvitjeve të përbashkëta, në rritje të kapaciteteve, në edukim edhe deri në akademitë ushtarake të këtyre shteteve, të bëjnë edhe tipizimin, gjegjësisht standardizimin e armatimit. Pra, çdo herë nga shteti kryesor i NATO-s, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Ibishi. “Kur ka më tepër kërkesa për armatim, atëherë edhe çmimi është më i favorshëm, por ka procedura që duhen ndjekur dhe proces të miratimit në Administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Takimi i grupit zbatues

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, bëri të ditur para disa ditësh për Radion Evropa e Lirë se më 18 korrik, në Tiranë është mbajtur takimi i grupit zbatues për ta detajuar planin e zbatimit të deklaratës. Udhëzuesi përfundimtar do t’u paraqitet për miratim tri ministrive në shtator.

Blerja e kapaciteteve mbrojtëse është angazhimi i parë në deklaratë për të cilën u zotuan ministrat e Mbrojtjes.

Sipas Maqedoncit, synohet që të bëhet një porosi për blerje në vend të tri porosive të veçanta nga secili shtet.

“Për shembull, një sistem [armësh] që jemi të interesuar të tria shtetet ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje, duke e shfrytëzuar legjislaturën e secilit vend, por që sasia dhe koha e liferimit të determinohet si e përbashkët, sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushtojnë më lirë dhe vijnë më shpejt”, ka thënë Maqedonci.

Këto blerje parashihet të bëhen me fonde kombëtare të secilit shtet.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars nënshkruan një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që ta forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Tri shtetet janë zotuar ta rrisin ndërveprueshmërinë mes ushtrive, përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, të angazhohen që t’i luftojnë kërcënimet hibride, si dhe t’i koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.

Marrëveshja, garanci për stabilitet në rajon

Kjo marrëveshje e kishte nxitur reagimin e Serbisë, por nënshkruesit theksuan se bashkëpunimi nuk e kërcënon askënd, por është garanci për stabilitetin dhe paqen në rajon.

Deklarata përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë së Ballkanit Perëndimor.

Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Bejtush Gashi, ka thënë se Marrëveshja e 18 marsit shërben si një përgjigje e sinkronizuar ndaj transformimeve të thella të mjedisit gjeostrategjik evropian pas agresionit rus në Ukrainë dhe rritjes së kapaciteteve ushtarake të Serbisë.

Në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, sipas Gashit, marrëveshja ofron një model funksional bashkëpunimi për vendet joanëtare të NATO-s, duke kontribuuar në stabilizimin e rajonit dhe reduktimin e hapësirës për tensione të sponsorizuara nga aktorë të jashtëm.

“Për Kosovën, e cila ende nuk është anëtare e NATO-s, kjo iniciativë krijon një mekanizëm funksional të mbrojtjes kolektive joformale. Edhe pse nuk e zëvendëson Nenin 5 të Kartës së Atlantikut të Veriut, ajo është në përputhje me Nenin 4, i cili parasheh konsultime të menjëhershme mes aleatëve në rast kërcënimi ndaj sigurisë, integritetit territorial apo pavarësisë politike. Duke qenë se dy nga tri shtetet (Shqipëria dhe Kroacia) janë anëtare të NATO-s, kjo aleancë e vendos Kosovën nën një ombrellë sigurie të përforcuar, me implikime direkte për krahun jugor të Aleancës”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, Marrëveshja adreson tri objektiva strategjike kryesore: rritjen e interoperabilitetit të forcave të armatosura përmes standardizimit të procedurave dhe trajnimeve të përbashkëta në përputhje me doktrinën e NATO-s; krijimin e një kapaciteti rajonal reagues ndaj krizave dhe kërcënimeve hibride; si dhe reduktimin e hendekut të armatimit ndaj shteteve me investime të përshpejtuara në mbrojtje, duke e garantuar balancën strategjike në Ballkan.

“Deklarata e përbashkët parashikon shkëmbim të ekspertizës profesionale, zhvillim të trajnimeve individuale dhe kolektive, si dhe ngritje të kapaciteteve rezerviste, përfshirë përmirësimin e logjistikës, menaxhimin e operacioneve dhe sistemet e mbështetjes tekniko-ushtarake. Harmonizimi i procedurave komanduese, i kombinuar me ushtrime të tipit ‘joint-combined’, e rrit aftësinë për reagim të koordinuar në skenarë krize, përfshirë operacione paqeruajtëse, menaxhim emergjencash dhe misione të mbrojtjes kolektive”, ka thënë Gashi, duke shtuar se ky proces e afron Kosovën me standardet ndërkombëtare të NATO-s dhe BE-së jo vetëm në nivel taktiko-operacional, por edhe në kornizën e planifikimit strategjik, doktrinës dhe ndërveprimit civil-ushtarak.

“Praktikat e ngjashme të adoptuara nga vendet aspirante për NATO-n kanë treguar se stërvitjet e integruara dhe harmonizimi i procedurave komanduese e rrisin kapacitetin e njësive për të vepruar nën komandë të përbashkët, e përmirësojnë shkëmbimin e informacionit dhe e zvogëlojnë kohën e reagimit ndaj kërcënimeve hibride. Për Kosovën, ky bashkëpunim përfaqëson një hap konkret drejt ndërtimit të një kapaciteti mbrojtës kolektiv, duke e forcuar besueshmërinë e vendit si partner sigurie në rajon dhe kontribuuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Serbia është ajo që e kërcënon paqen

Edhe Nureedin Ibishi i sheh të domosdoshme aleancat e tilla në kontekstin aktual gjeopolitik.

“Po gjithsesi, mendoj që këto nuk janë ndonjë rrezik, flas për shtete që kanë aspekte paqësore sikur që tash po flasim për tri shtete, duke filluar nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, nuk kanë pretendime territoriale, as në të kaluarën, historikun e fundit, nuk kanë ndonjë agresion ndaj ndonjë shteti. Kanë çdo herë synimin edhe qëllimin mbrojtjen, sidomos Kosova çdo herë e ka aspektin defensiv apo mbrojtës. Vetë koncepti i doktrinës dhe strategjisë është i përkufizuar dhe i përcaktuar në mbrojtje”, ka potencuar Ibishi.

Tek ka folur për reagimet në Serbi pas nënshkrimit të Deklaratës, Ibishi thotë se është pikërisht ajo që ka iniciuar në të kaluarën aleancë që paraqet edhe rrezik dhe i ka prishur marrëveshjet e paqes.

“Po, Serbia ishte e para që prishi marrëveshjen e Dejtoni, atëherë kur s’përcaktuan kuota lidhur me numrin e ushtarëve, kapaciteteve njerëzore, armatimit, pra pas marrëveshjes apo përfundimit të luftës në Bosnjë-Hercegovinë me 1995. Ajo i tejkaloi duke iu referuar çështjeve që ajo thirret në neutralitet, ndërsa u armatos gjithandej. Ndërsa tash po e akuzon këtë aleancë e cila, siç dihet, ka qëllime mbrojtëse dhe të tria shtetet nuk kanë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti. Gjithashtu, në vitin 2023 Serbia arriti një marrëveshje të përbashkët në fushën e mbrojtjes me Republikën e Hungarisë”, ka thënë ai.

Shqipëria dhe Kroacia janë vende anëtare të NATO-s, organizatë ku Kosova synon të anëtarësohet. Por, aktualisht, brenda kësaj organizate janë katër shtete që nuk ia njohin shtetësinë Kosovës.

Deklarata e nënshkruar në Tiranë lë mundësinë që edhe vendet e tjera t’u bashkohen, teksa është bërë e ditur se ftesë ka marrë Bullgaria.