16:14 / E Premte, 23 Qershor 2023 / MSH

Në takim lamtumirës, përfaqësuesja e UNDP-së i tregon Osmanit për projektet e reja që do të zbatohen në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës përfaqësuesen rezidente të UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko, të cilën e falënderoi për angazhimin e saj përgjatë katër viteve të fundit në zbatimin e projekteve me në qendër të tyre mbështetjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

Presidentja Osmani vlerësoi lartë kontributin e UNDP-së në mbështetjen e shumë programeve dhe projekteve në Kosovë, me theks të veçantë tek ato për gratë, rininë, mjedisin, ndryshimet klimatike dhe personat me nevoja të veçanta.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin e mirëfilltë ndërmjet Zyrës së Presidentes dhe UNDP-së gjatë edicionit të kaluar të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe nismës së mbjelljes së drunjve, nisma të cilat vazhdojnë edhe këtë vit.

Suokko shprehi falënderimin e sinqertë për bashkëpunimin me Presidenten Osmani dhe zyrën e saj dhe në të njëjtën kohë e njoftoi edhe për projektet e reja që priten të fillojnë të zbatohen gjatë muajve në vazhdim në Kosovë.