75 Mall Live Search
15:08 / E Hënë, 22 Korrik 2024 / L K

Në takimet lamtumirëse Szunyog rikonfirmon rolin e BE-së si një partner stabil dhe i pazëvendësueshëm për Kosovën

Me përfundimin e mandatit të tij, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog pati një sërë takimesh lamtumire me liderët kryesorë të Kosovës.

Në takimin e tij me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani , Ambasadori Szunyog e falënderoi për bashkëpunimin e tyre dhe rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të BE-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.

Ai u takua gjithashtu me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, duke shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e tyre ndër vite. Ambasadori Szunyog përsëriti rëndësinë e miratimit të ligjeve që përputhen me standardet evropiane për të ndihmuar Kosovën të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së.

Gjatë takimit të lamtumirës me kryeministrin Albin Kurti, ai e falënderoi kryeministrin për bashkëpunimin dhe rikonfirmoi rolin e BE-së si një partner stabil dhe i pazëvendësueshëm për Kosovën. Ai inkurajoi përshpejtimin e reformave të nevojshme për rrugën e Kosovës në BE.

Ambasadori Szunyog i dha lamtumirën e fundit zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, duke e falënderuar për bashkëpunimin në çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me integrimet evropiane. Ai theksoi se rruga evropiane e Kosovës kalon përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, e vetmja platformë praktike për adresimin e çështjeve të pazgjidhura.

Në fund, në takimin me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi, ai shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e mirë gjatë mandatit të tij. Ai theksoi rëndësinë e respektimit të plotë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve joshumicë për përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së.