18:00 / E Hënë, 30 Nëntor 2020 / Blerim

Në takimin Kosovë-BE përsëritet rëndësia e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës

Në takimin virtual anëtarët e Këshillit të Stabilizim Asociimit rishikuan përparimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian 2020 për Kosovën.

Pjesëmarrësit diskutuan për zhvillimet kryesore në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2015.

Pjesëmarrësit mirëpritën angazhimin e vazhdueshëm strategjik të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe në dialogun me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja. Ata ranë dakord për  nevojën urgjente për të përshpejtuar proceset e reformave, duke kërkuar përqendrim të shtuar nga të gjithë akterët politikë dhe një strukturë efektive të koordinimit brenda institucioneve të Kosovës, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.

Pjesëmarrësit përsëritën rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, derisa vendimi mbi propozimin mbetet në shqyrtim në Këshill.

Pjesëmarrësit diskutuan poashtu edhe për prioritetet e reformës  në sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe punësimin.

Sa i përket Dhomave të Specializuara, pjesëmarrësit vlerësuan bashkëpunimin që treguan autoritetet e Kosovës dhe të arrestuarit. Ata u dakorduan për angazhim të vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës, në përputhje të plotë me rendin e saj ligjor dhe detyrimet e saj ndërkombëtare, me përpjekje të mirëfillta për të garantuar sundimin e ligjit, liritë themelore, drejtësinë dhe pajtimin.

Këshilli i Stabilizim Asociimit  mirëpriti rifillimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja në korrik 2020 pas emërimit të Përfaqësuesit Special të BE-së,  Miroslav Lajčák dhe heqjes së tarifave dhe masave të reciprocitetit.

Në këtë takim u nënvizua rëndësia e angazhimit të vazhdueshëm me mirëbesim për të negociuar dhe arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Kjo u vlerësua thelbësore në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane. Pjesëmarrësit ranë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të respektohen dhe të zbatohen.

Pjesëmarrësit ranë dakord mbi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të Kosovës në bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në zbatimin e Planit të Veprimit për zhvillimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, ashtu  siç u miratua në samitin e Sofjes më 10 nëntor 2020, në ndjekjen e tranzicionit të gjelbër dhe digjital.