15:47 / E Enjte, 30 Maj 2024 / MSH

Në tri raste të ndara Dogana zbulon veprimtari ilegale, sekuestrohen mallra

Dogana e Kosovës ka realizuar me sukses disa operacione kontrolli gjatë kësaj jave, të cilat kanë çuar në zbulimin e aktiviteteve të ndryshme të paligjshme në disa lokacione të ndryshme të vendit. Më poshtë janë detajet e rasteve të zbuluara:

Rasti 1: Fushë Kosovë, zyrtarët e Doganës së Kosovës, pas një pune operative intensive, kanë organizuar një kontroll në një subjekt në Fushë Kosovë. Gjatë këtij kontrolli, është zbuluar një hapësirë për prodhimin/falsifikimin e mallrave dhe mallra pa prejardhje të qartë. Konkretisht, janë sekuestruar:

  • 9,560 copë maica për të rritur me marka të ndryshme
  • 4,300 copë etiketa letre me mbishkrimin e firmave të njohura
  • Disa makina qepje.

Lidhur me këtë rast, është njoftuar menjëherë Prokuroria. Pas intervistimit të palës së përfshirë, janë ngritur kallëzime penale për: Tregti të ndaluar, Prodhim të paautorizuar si dhe mashtrim të konsumatorëve

Rasti 2: Mitrovicë, njësitet e Doganës së Kosovës kanë kryer një kontroll në një subjekt që merrej me shitjen e automjeteve të përdorura në Mitrovicë. Gjatë këtij kontrolli, janë identifikuar 37 automjete të ndryshme të pazhdoganuara, të cilat subjekti kishte për qëllim t’i përdorte për pjesë këmbimi.

Automjetet janë dërguar për verifikim për të parë nëse janë të kërkuara, dhe pas përfundimit të kësaj procedure, rasti do të trajtohet më tej në koordinim me Prokurorinë.

Rasti 3: Gjilan, Dogana e Kosovës ka kryer një kontroll në një subjekt tjetër, pas pranimit të një informate përmes rrugëve operative. Gjatë këtij kontrolli, është zbuluar dhe sekuestruar mall pa dokumentacion, i cili dyshohet se është kontrabanduar në Kosovë. Malli i sekuestruar përfshin:

  • 10 copë helmeta të ndryshme për motoçikleta – të reja
  • 16 copë goma të ndryshme për motoçikleta – të reja
  • 3 copë maska ballore për motoçikleta Yamaha Nmax – të përdorura

Ndaj palës janë inicuar procedurat kundërvajtëse.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër veprimtarive të paligjshme dhe kontrabandës, duke siguruar integritetin dhe sigurinë e tregut tonë. Për çdo informatë shtesë, ju lutemi të kontaktoni zyrën tonë të informimit ose të vizitoni faqen tonë zyrtare