75 Mall Live Search
09:59 / E Shtunë, 13 Shtator 2025 / F.R

Në tri raste të ndara në rajonin e Ferizajt, policia sekuestron katër armë zjarri

Policia e Kosovës ka sekuestruar katër armë zjarri në tri raste të ndara që kanë ndodhur gjatë datave 11–13 shtator në Ferizaj, Shtime dhe Kaçanik.

Në rastin e parë, më 11 shtator, rreth orës 20:11, në rrugën “Ismet Ramadani” në Ferizaj, policia ka reaguar pas një informate për të shtëna me armë.

Tre persona janë arrestuar, ndërsa tek dy prej tyre janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri. Në vendngjarje janë gjetur gjithashtu 13 gëzhoja. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në rastin e dytë, më 12 shtator, policia ka bastisur shtëpinë e një personi nga fshati Zborc i Shtimes, pas dyshimeve se posedonte armë pa leje. Gjatë kontrollit është gjetur një pistoletë, e cila është sekuestruar. I dyshuari, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Rasti i tretë ka ndodhur më 13 shtator, rreth orës 00:25, në fshatin Sllatinë të Kaçanikut, pas një informate për të shtëna me armë. Policia ka lokalizuar katër vetura që lëviznin me shpejtësi dhe i ka gjetur në oborrin e një vile. Tek një person është sekuestruar një armë zjarri, ndërsa në vendngjarje janë gjetur tetë gëzhoja. Rasti është iniciuar për “Mbajtje dhe përdorim të paautorizuar të armës”.

Policia ka njoftuar se të gjitha armët e zjarrit janë sekuestruar, ndërsa rastet janë duke u trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit.