11:05 / E Enjte, 15 Tetor 2020 / indeksADMonline

Në Turqi, i burgosuri lihet të vdesë në karrige plastike i izoluar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur së fundmi në burgun e Gumushanes në Stamboll të Turqisë.

Ish-nën komisari Mustafa Kabakçioglu u gjet i vdekur nga rojet e sigurisë së burgut i ulur në një karrige plastike duke ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale edhe pse në mediat tradicionale lajmi është censuruar.

47 vjeçari ishte arrestuar në korrik të vitit 2016 duke u mbajtur në burg edhe pse nuk kishte ende vendim gjykate për të. Gjatë gushtit, ai ka patur shqetësime shëndetësore, shoqëruar me një kollë të fortë.

Pasi kishte bërë disa kërkesa, mjekët kanë dyshuar se ishte me koronavirus duke e karantinuar në njërën prej qelive të burgut.

Ndërkohë që gjendja e tij përkeqësohej dhe kishte probleme të tjera si diabeti, ish-polici vijonte t’i shkruante drejtuesve të burgut dhe mjekëve pa marrë asnjë përgjigje.

Gardianët e gjetën atë të vdekur në qëli në fund të shtatorit, por gjithçka u bë publike pasi avokatët morën pamjet e kamerave të sigurisë në qeli ku u zbulua edhe mënyra se si kishte vdekur. Mustafa Kabakçioglu u la të jepte shpirt në një karrige të bardhë plastike duke mos patur ndihmën e mjekëve dhe për më tepër, rezultoi se nuk ishte me koronavirus.