75 Mall Live Search
22:56 / E Hënë, 09 Mars 2026 / F.R

Në UBT inaugurohet “Italian Corner” dhe Qendra e Certifikimeve CELI, me përkrahjen e Ambasadës së Italisë në Kosovë

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan u inaugurua “Italian Corner” dhe Qendra e Certifikimeve CELI, një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe kulturor ndërmjet UBT-së dhe Ambasadës së Italisë në Kosovë. Në këtë ngjarje morën pjesë Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, profesorë dhe studentë.

Përveç inaugurimit të këndit të librave, ku UBT ka përfituar donacione të literaturës bashkëkohore, gjatë ceremonisë u bë edhe certifikimi i pjesëmarrësve të kursit të gjuhës italiane në UBT, si dhe ndarja e certifikatave për studentët që përfunduan me sukses certifikimin ndërkombëtar të gjuhës italiane CELI.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se krijimi i këtij këndi është një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ofrimit të mundësive të reja për studentët.

“UBT ka ndërtuar ndër vite një rrjet të gjerë bashkëpunimi me institucione dhe projekte evropiane. Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve tona për të krijuar më shumë mundësi për studentët dhe studiuesit tanë. ‘Italian Corner’ do të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për ata që dëshirojnë të thellojnë njohuritë e tyre në gjuhën dhe kulturën italiane, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja akademike dhe projekte të përbashkëta në të ardhmen”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Ai shtoi se UBT synon të vazhdojë të zhvillojë projekte të përbashkëta me institucione italiane, duke e konsideruar këtë bashkëpunim një mundësi të rëndësishme për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve.

Nga ana tjetër, Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me UBT-në dhe rëndësinë që ka promovimi i gjuhës dhe kulturës italiane në Kosovë.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar që jam sot këtu në UBT. Bashkëpunimi ndërmjet Ambasadës së Italisë dhe UBT-së është shumë i mirë dhe ky projekt është një dëshmi konkrete e kësaj marrëdhënieje. Përmes këtij këndi të librave synojmë të promovojmë gjuhën italiane, kulturën dhe lidhjet akademike ndërmjet Italisë dhe Kosovës”, tha Ambasadori Antonini.

Ai shtoi se iniciativa të tilla krijojnë mundësi të reja për studentët kosovarë që të njihen më nga afër me kulturën italiane dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës dhe inovacionit.

Inaugurimi i ‘Italian Corner’ shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve akademike, kulturore dhe institucionale ndërmjet UBT-së dhe Italisë, duke krijuar hapësira të reja për shkëmbim njohurish, bashkëpunim ndërkombëtar dhe angazhim të studentëve”.

Në përmbyllje të aktivitetit, pjesëmarrësitpatën mundësinë të vizitojnë nga afër këndin e librave në Bibliotekën e UBT-së, i cili do të shërbejë si një burim i rëndësishëm për studentët dhe studiuesit që duan të mësojnë dhe të hulumtojnë më shumë rreth gjuhës, letërsisë dhe kulturës italiane.