08:11 / E Hënë, 29 Janar 2018 / indeksADMonline

Në udhëkryq me Specialen

Ndonëse iniciativa e 43 deputetëve të Kuvendit për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale tashmë është dërguar në Qeveri, ekzekutivi ende nuk ka dalë me një opinion final rreth kësaj çështjeje

Megjithatë, zyrtarë të Qeverisë kanë thënë se kjo nismë tashmë është në procedurë formale dhe se brenda 30 ditëve do t’i kthehet sërish Kuvendit.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar sërish se përpjekja për t’i zhbërë Dhomat e Specializuara do të rezultojë me efekte negative në raportet mes Kosovës e BE-së.

Nga ana tjetër, përderisa deputetët që kanë nënshkruar nismën për ta zhbërë Gjykatën Speciale (nga PDK), kanë thënë se do ta mbështesin qëndrimin e partisë, ata të AAK-së kanë thënë se do të votojnë pro shfuqizimit në momentin që projektligji procedohet për votim, shkruan tutje  Zëri.

Kurse, monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se Qeveria tashmë nuk mund ta bllokojë punën rreth kësaj nisme ani pse iniciativa është në dorën e saj aktualisht.
Duke folur rreth kësaj çështjeje ata kanë vlerësuar se Kosova aktualisht gjendet në një udhëkryq sa i përket tentimit për ta zhbërë Specialen, meqë ndonëse është zbehur iniciativa në fjalë ende nuk ka kaluar përfundimisht rreziku.