75 Mall Live Search
17:22 / E Martë, 23 Prill 2019 / indeksADMonline

Në vitin 2018, 700 punëtorë ishin pa kontrata të punës

Të rinjtë në Kosovë janë më të papunët në rajon, ndërsa mbi 70 përqind e tyre duan të punësohen në sektorin publik edhe pse shumica besojnë që vetëm duke pasur lidhje familjare dhe politike mund të jesh pjesë e këtij sektori.

Këto ishin të dhënat që kanë dal nga publikimi “Studimi për Rininë Kosovë 2018-2019” i cili është realizuar nga Friederich Ebert Stiftung dhe që u prezantuan në diskutimin e organizuar nga Kongresi Kombëtar i të Rinjve në rreth (mos) implementimit të Ligjit të Punës.

Sipas këtij studimi 43 përqind e të rinjve në Kosovë janë të papunë, dhe prijnë në rajon për nga niveli i papunësisë.

“Shumica e të rinjve preferojnë të punojnë në sektorin publik 70 për qind e tyre e duan një vend të punës në sektorin publik, në krahasim me vetëm 23 për qind të cilët mendojnë se mund të punojnë edhe në sektorin privat. Arsyet për këtë janë se në sektorin publik puna është më e sigurt, pagat janë të rregullta, pushimet i kemi të rregullta, në sektorin privat shpesh iu shkelen të drejtat, nuk kanë kontrata nuk paguhen kontributet pensionale. Të rinjtë mendojnë që vetëm me lidhje ti mundesh me ardhur tek vendi i punës nëse je anëtar i një partie, ke lidhje me njerëz në pushtet t’i mund të arrish tek një vend pune në sektorin publik i cili është shumë i preferuar”, tha Mevlyde Hyseni koordinatore e programeve në Friederich Ebert Stiftung.

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi ka kërkuar një ngritje të vetëdijes shoqërore me qëllim që askush të mos pranojë punësim pa kontratë. Ibrahimi po ashtu tha se si Inspektorat i Punës gjatë vitit 2018 kanë gjetur se 700 punëtorë nuk kanë qenë të pajisur me kontrata pune.

“Inspektorati i punës natyrisht që ka rol bazik për mbikëqyrjen dhe zbatimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve, por inspektorati i punës unë thash që në vitin 2018 ne kemi gjetur 700 punëtor pa kontrata pune që unë kisha pritur që ata 700 njerëz me ardhur në inspektorat të punës, ne kemi pasur 1700 ankesa vitin e kaluar dhe që është dyfishuar numri i ankesave në raport me vitin 2017 dhe është trefishuar në raport me vitin 2016”, tha Ibrahimi.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se shumë prej kompanive private synim kanë profitin e jo edhe respektimin e të drejtave të punëtorëve. Sipas tij vetëm 5 për qind e kompanive që veprojnë në Kosovë e respektojnë Ligjin e Punës, derisa ka theksuar se punëkërkuesit duhet të mos pranojnë të punojnë pa kontrata të punës.

“Tek ne fuqia aktive ka shënuar rënie për dallim prej asaj që Qeveria dhe ne po e promovojmë si krijimin i vendeve të punës, pra është e kundërta, anketa e fuqisë punëtore po ashtu tregon se janë diku 10 mijë vende të punës në vitin 2018 krahasuar me një viti paraprak me vitin 2017 me një arsye banale… 24;44Është momenti i fundit që nëse duam ta parandalojmë ikjet e popullsisë diku prej 35 mijë njerëzve brenda një viti është shumë për një vend të vogël siç jemi ne, nëse duam ta ndryshojmë atë tendencën e 55 përqind të të rinjve që dëshirojnë të largohen prej vendit natyrisht që të gjithëve u takon barra, nuk mundet vetëm shteti i vetëm”, tha Zeka.

Për publikimin “Studimi për Rininë Kosovë 2018-2019” janë anketuar të rinj të moshave 14 deri në 29 vjeç.