75 Mall Live Search
12:35 / E Mërkurë, 08 Nëntor 2023 / A. M.

Në vitin 2022, Dedaj i kishte dërguar letër ZPS-së në të cilën thoshte se distancohet nga deklaratat e mëhershme për Thaçin

Në nëntor të vitit 2022, Gjergj Dedaj i kishte dërguar letër Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës me anë të se cilës njoftonte se është distancuar nga të gjitha deklaratat e më hershme të tij.

Dedaj 'distancohet' nga deklarimet e vitit 2014 se ishte kërcënuar nga Hashim  Thaçi

Kjo u konfirmua nga vetë Dedaj si dhe u prezantua gjatë seancës nga avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Luka Misetic.

Në këtë letër Dedaj kishte thënë se këto deklarata kanë qenë më shumë të fushatave politike.

“E kam dhënë një deklaratë në 2011 për koalicionin. Kam thënë në mënyrë të padrejtë se Hashim Thaçi me ka torturuar, nuk është e vërtetë sepse Hashim Thaçi nuk me ka torturu, e nuk është korrekt domethënë sepse nuk me ka torturu… Janë thënë shumë gjera, shumë deklarata në mes konferencës së shtypit dhe asaj çfarë thamë sot, kanë qenë deklarata me shumë të fushatave, të situatave tona politike. Dua të distancohem nga ato se çfarë kam thënë në atë program se kam qenë në gjendje të rëndë shpirtërore”, thuhej në letër të cilën e prezantoi avokati Misetic.

Dedaj tha se arsyeja që është distancu nga këto deklarata ka qenë për shkak se ato janë thënë për hakmarrje.

“Si vërejte time që asnjëherë gjatë këtyre intervistave nuk kam pas as avokat, as këshilltar me u këshillu me dikën, nuk kam pas ide dhe këto kanë qenë fjalë që shpeshherë i kam gjujtë, por në letrën e vitit të kaluar të nëntorit 2022 unë kam bërë një letër këtyre Dhomave të respektume e domethënë që unë distancona. Dhe mënyra se pse unë jam distancu është që këto kanë qenë deklarata të dhana për hakmarrje, revanzh, shpesh gjanat i kam harru domethënë edhe kur rezunu edhe jam ul dhe kam mbledhë fakte kam shku edhe në Qirez, kam shku edhe në Drenicë kam shku edhe gjithandej Kosovës që me e ditë kush kanë qenë ata 4-5 huliganët edhe kam ardh në përfundim se kam bërë deklarata të pamatura, të panevojshme, të ekzagjeruar”, tha Dedaj.

Dedaj flet për shkarkimin e tij si zëvendësministër i Transportit, Thaçin e quan ‘George Washington i Kosovës’

(Përditësuar, ora 11:20)-Në dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Gjergj Dedaj ka fol edhe për shkarkimin e tij nga pozita që kishte si zëvendësministër i Transportit.

Dedaj tha se ka mëndu që është shkarkuar nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi mirëpo më vonë e ka kuptuar se nuk e ka bërë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për me e sqaru pak duhet. Unë jam ngarku nga Presidenti Thaçi, zëvendësministër i Transportit të asaj kohe, të premten, ka qenë ditë e premte dhe të shtunën ose të dielën pak ka rendësi, por pa shku në punë se të hënën fillon puna, jam shkarku dhe në media ka dal se Hashim Thaçi një herë e ngarkoi të premten, pastaj të njëjtin person presidenti Hashim Thaçi e shkarkoi zëvendësministrin e Transportit Gjergj Dedajn dhe në këtë ministri filloi të luftohet korrupsioni. Unë jo që jam shoku, por nuk e di vlla çka është me mu, e kam ndonjë copë ADN të çeliktë se ka pas me m’lshu zemra, pa shku kurrë asnjë sekondë në atë ministri dhe unë kam thanë si është e mundshme presidenti Hashim Thaçi me m’ngarku te premten, me m’shkarku. Këtë e ka bërë dikush tjetër që mund ta them në një seancë private”, tha Dedaj.

Gjatë këtij sqarimi, Gjergj Dedaj e quan Hashim Thaçin George Wshington i Kosovës dhe se shkarkimin e tij thotë se e ka bërë dikush tjetër për t’i futur në konflikt.

“E ka bërë dikush tjetër me na shti në konflikt me Presidentin Thaçi, por unë gjithnjë kam menu deri e kam sqaru se e ka bërë presidenti Thaçi. Unë me kanë praktikues i Kanunit ose ka mujtë me m’vra ose me u vra me Hashim Thaçin. Unë nuk jam, unë kurrë nuk jam, as ai as unë. Ne jemi njerëz, burrështetas jemi dhe i kam thënë okej, i kam dhënë 7 ditë afat në publik e kam thënë në media presidentit Thaçi që atëherë ishte kryeministër, me m’thirr dhe me m’tregu arsyen se pse me ka ngarku dhe pse me ka shkarku brenda 24 orëve dhe nëse nuk me thirr atëherë ka me kanë keq. Keq se ka me ndjek rrugë ligjore. Gjithnjë kam mëndu se me ka shkarku Hashim Thaçi dhe e kam pas një urrejtje ekstreme nëse kish ndodh kështu se ka mujtë me thanë s’ki me shku dhe okej. Mbas 5-6 ditëve jam taku me z. Thaçi, siç i kanë thënë George Washington-in e Kosovës dhe ka thanë, Gjergj nuk të kam shkarku unë”, tha Dedaj.

Dedaj: Një pjesë e mediave në Kosovë prodhojnë dhe sajojnë aktakuza

(Përditësuar, ora 11:00)-Gjatë dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj tha se një pjesë e mediave në Kosovë prodhojnë dhe sajojnë aktakuza dhe fyerje.

Deklarata e Dedajt erdhi pasi avokati i Thaçit, Luka Misetic pyeti dëshmitarin se pse ndryshuan deklaratat e tij të mëparshme me atë që ai po thotë ditët e fundit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në deklaratat e fundit, Dedaj kishte thënë se kishte motive hakmarrëse për deklaratat që kishte thënë lidhur me rastin në Baicë, ndërsa Misetic pyeti se kush ishte motivi.

“Mediave se mediat në Kosovë një pjesë e tyre janë fakt ato që prodhojnë dhe sajonë aktakuza e fymje sikur kudo edhe Ballkan posaçërisht. Në rastin e ndalimit tim unë kam pas një idhnim se unë kam qenë një person publik dhe me gjithë zemër dhe gjithë shpirt jam angazhu për lirinë e Kosovës”, u përgjigj Dedaj.

Avokati Misetic prezantoi edhe një dokument të mbledhjes së kryesisë së Partisë Liberale në Kosovë pas ngjarjes në Qirez të cilën Dedaj ia kishte dhënë Zyrës së Prokurorit të Specializuar në seancën përgatitore.

“Pas një bisedë me popull dhe qëllimet humanitare që kishim jemi legjitimu dhe kanë dashur të dinë se çfarë kemi diskutura se mos gjeja kemi kërkuar për dorëzim të armëve po ashtu pasi kanë verifikuar diskutimin tonë i kanë liruar gazetarët dhe femrat kurse 13 të tjerëve na kanë ndaluar na kanë dërguar në një vend të panjohur për një ku janë sjellë në mënyrë dinjitoze”, thuhej në këtë letër.

Misetic e pyeti Dedajn nëse ka pasur frikë që t’i tregojë kryesisë atë se çfarë kishte ndodhur, gjë të cilën e mohoi ky i fundit.

Ndryshe, ky dokument që Dedaj i kishte dhënë ZPS-së u pranua si provë materiale.

Dëshmia e Gjergj Dedajt në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon me prezantimin e konferencën për shtyp të delegacionit pas vizitës në Qirez me 1998

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po e vazhdon dëshminë e tij dëshmitari Gjergj Dedaj në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në pyetje këtë dëshmitarë është duke e marrë mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit, Luka Misetic.

Fillimisht, Misetic kërkoi që të paraqes konferencën për shtyp të 23 shtatorit 1998 të delegacionit të partive politike shqiptarë pas vizitës në Qirez dhe pas ngjarjes në Baicë.

Në këtë konferencë, Gjergj Dedaj tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë interesuar për aktivitetin e tyre politik.

Ndër tjerash, Dedaj kishte thënë se nuk kishte qenë i kërcënuar ndërsa sipas tij atë kohë kishte thënë se ndalesa e tyre ishte e pakuptimtë.

“Interesimi i tyre në radhë të parë ishte se pse nuk e kemi paralajmëru vizitën që mendoj se ne nuk do të paralajmërojmë vizitat se ku do të shkojmë asnjëherë dhe do të shkojmë edhe në territoret tjera sepse e kemi obligim të shkojmë tek njerzit tonë, tokat tona, trevat tona. Nuk kemi qenë të kërcënuar në kuptimin e fjalës kërcenim. Mendoj që ndalesa sipas menimit tim ishte e pa kuptimtë. S’ka pas arsye që ne te ndalohemi përderisa ne ishim të gjithë persona publik domethënë ishim njerëz që për aktivitetin tonë, punën tonë domethënë e dinte i gjithë opinioni dhe kemi punu në mënyre legale, prandaj ne nuk kishim shkuar që të bëjmë asnjë lloj propagande, as politike, as partiake, as kundër UÇK-së as kundër UÇK-së”, kishte thënë Dedaj në këtë konferencë.