Në zgjedhjet lokale votuan 46 për qind e meshkujve dhe 38 për qind e femrave

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, meshkujt dolën më shumë për të votuar në krahasim me femrat.
Ky konstatim mbështet në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje sipas gjinisë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për KP se rreth 46% e votuesve meshkuj të regjistruar morën pjesë në votime. Ndërsa shifra e pjesëmarrjes së femrave është më e ulët, pasi sipas të dhënave të KQZ-së vetëm rreth 38% e votuesve femra dolën për të votuar më 17 tetor.
Sipas listës përfundimtare të votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e tetorit ishte 1 milion e 885 mijë e 448 votues, prej të cilëve rreth 968 mijë ishin votues ishin meshkuj, ndërsa, femra ishin rreth 918 mijë votuese.
“Duke u mbështetur në të dhënat e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga rreth 968 mijë votues meshkuj kanë votuar rreth 46% e tyre apo rreth 443 mijë votues, ndërsa nga rreth 918 mijë votuese të regjistruar, kanë votuar rreth 38% apo gati 345 mijë votuese”, deklaroi Elezi.