75 Mall Live Search
12:32 / E Shtunë, 10 Janar 2026 / Gj Sh

Në zyrat e FFK-së u mbajt Kuvendi i rregullt i punës i Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit të Kosovës

Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës u mbajt sot Kuvendi i rregullt i punës i Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit të Kosovës.

Në këtë kuvend morën pjesë 24 nga gjithsej 26 delegatë, të cilët, në mënyrë unanime, miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës, ku ishin të përfshira edhe raporti i punës dhe raporti financiar për periudhën 2025.

Punimet e këtij kuvendi i përshëndeti presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili delegatëve të pranishëm u dëshiroi kuvend të mbarë dhe produktiv. Ai theksoi rëndësinë e vendimeve që merren në takime të tilla, duke vënë në pah se ato janë në shërbim të përmirësimit të punës së trajnerëve dhe zhvillimit të përgjithshëm të futbollit në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit të Kosovës, Muharrem Sahiti, i cili edhe udhëhoqi punimet e kuvendit, falënderoi të gjithë delegatët për angazhimin dhe kontributin e tyre gjatë vitit.

Ai vlerësoi punën e bërë si thelbësore për zhvillimin dhe avancimin e futbollit kosovar, duke theksuar rolin kyç të trajnerëve në këtë proces.

Nga delegatët u vlerësua lart procesi i dhënies së lejes së punës, i krijuar dhe i iniciuar nga SHTFK-ja, si kusht për udhëheqjen e ndeshjeve në të gjitha garat e FFK-së dhe LRF-ve.

Gjatë diskutimeve, delegatët nga të gjitha regjionet e Kosovës shprehën përkushtimin e tyre për të vazhduar punën profesionale, me fokus në zhvillimin e talenteve të reja dhe ngritjen e cilësisë dhe standardeve të trajnerëve në futbollin e Kosovës.