Neglizhencë e qëllimshme apo krizë kardiorespiratore? Ja kur nis gjyqi i ri për rrethanat e vdekjes e Maradonës
Gjashtë muaj pasi gjyqi i parë u pushua, sot do të mbahet një seancë paraprake dëgjimore për të përcaktuar kushtet e një gjyqi të ri në Argjentinë në lidhje me rrethanat e vdekjes së Diego Maradonës në vitin 2020.
Palët do të takohen në San Isidro, në veri të Buenos Airesit për të rënë dakord mbi procedurën, seancat dëgjimore dhe dëshmitarët për gjyqin e “dytë” të shtatë profesionistëve të kujdesit shëndetësor.
Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se gjyqi i ri është planifikuar të fillojë më 17 mars 2026.
Diego Maradona vdiq në moshën 60 vjeçare më 25 nëntor 2020, nga një krizë kardiorespiratore dhe edemë pulmonare, ndërsa po shërohej nga neurokirurgjia.
Gjyqi synon të përcaktojë nëse vdekja e tij ishte e pashmangshme, pasi trupi i tij, i rraskapitur nga varësia, u dorëzua. Apo nëse kishte pasur neglizhencë fatale, madje të qëllimshme, nga ana e ekipit të profesionistëve (mjek, psikiatër, psikolog, infermierë) që supozohej të kujdeseshin për Maradonën.
Gjyqi i parë u pushua në maj, pas rreth njëzet seancash dëgjimore gjatë dy muajve dhe dëgjimit të 44 dëshmitarëve.
Pushimi ndodhi mes një skandali, pasi njëra nga tre gjyqtarët, pa dijeninë e të gjithëve, kishte bashkëpunuar në një miniserial dokumentarësh për çështjen. Që atëherë ajo është shkarkuar nga posti i saj, përcjell A2 CNN.
Në seancën e së martës, avokatët mbrojtës do të kërkojnë që të merren në konsideratë disa apelime, veçanërisht sipas parimit “ne bis in idem”, i cili garanton që një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtin krim.
Mario Baudry, avokati i ish-partneres së Diego Maradonës dhe nënës së njërit prej fëmijëve të tij, Veronica Ojeda, parashikon se “avokatët mbrojtës do të përdorin taktika vonese për të zgjatur” procedurat, “duke e shtyrë gjyqin sa më shumë që të jetë e mundur”. Ai beson se provat e paraqitura në gjyqin e parë “konfirmojnë se me të vërtetë ka përgjegjësi dhe se do të ketë dënime”, deklaroi ai.

