75 Mall Live Search
10:43 / E Mërkurë, 17 Dhjetor 2025 / P M

Nën masa të sigurisë, tre të akuzuarit në rastin “Banjska” dërgohen në sallën e gjyqit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vijuar seanca e shqyrtimit, në rastin “Banjska”.

Përpara trupit gjykues, nën masa të rrepta sigurie, u sollën tre nga 45 të dyshuarit: Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq.

Gjyqtari Arben Hoti deklaroi se rasti është në fazën e administrimit të provave personale, teksa dëshmitarja Dragana Antonijeviq nuk është prezent për të dëshmuar për të dytën seancë radhazi.

Prokurori Naim Abazi u shpreh se dikush nga familja e dëshmitares ka pranuar ftesën, por që ajo ka refuzuar ta bëjë të njëjtën gjë. Me këtë rast, Abazi ka thënë se janë plotësuar kushtet për të vijuar tutje me procesverbalin, pasi dëshmitarja në fjalë ka refuzuar të dëshmojë, pa ndonjë bazë ligjore.

Ai propozoi që deklarata e Antonijeviqit, e dhënë më parë në polici, të lexohet dhe të pranohet si provë e procesverbalit, shkruan IndeksOnline.

Pas konsultimit nga trupi gjykues dhe deklarimeve të avokatëve të palëve, u aprovua propozimi i prokurorit Abazi.

Me këtë rast, u vendos të lexohet procesverbali i intervistimit të Antonijeviqit, më 2024.

Avokatja e Dushan Maksimoviqit ka ftuar një dëshmitar për t’u deklaruar, por një gjë e tillë u kundërshtua nga prokurori Abazi, që tha se nuk është përmbushur afati i nevojshëm për të dorëzuar shkresat për të dhënë dëshmi dhe nuk ka fare relevancë me rastin.

Kërkesa e avokates së Maksimoviqit u aprovua nga trupi gjykues. Me këtë rast, dëshmitari në fjalë do të dëgjohet në seancën e radhës, përmes një videolidhjeje nga Shkupi. Kjo për shkak se dëshmitari është banor i Maqedonisë së Veriut. Seanca e radhes 16 janar 09:30./IndeksOnline/