75 Mall Live Search
21:21 / E Enjte, 04 Shtator 2025 / Gj Sh

Nën rrebeshin e shiut, Kosova kryen stërvitjen e fundit para ndeshjes me Zvicrën

Kombëtarja e Kosovës ka kryer edhe stërvitjen e fundit para duelit të nesërm me Zvicrën, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Stërvitja në “St Jakob Park” është zhvilluar nën rrebeshin e shiut. Të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë dhe gati për ndeshjen e nesërme.

E para seancës stërvitore në konferencë për media dolën sulmuesi Vedat Muriqi dhe përzgjedhësi Franco Foda.

Muriqi tha se atmosfera në ekip është e shkëlqyer dhe beson fuqishëm në rezultat pozitiv.

“Jemi përgatitur për nesër dhe kemi bërë analizat tona. E njohim Zvicrën, i njohim pikët e dobëta. Kemi lojtarë të nivelit të lartë dhe besoj se tani jemi ekipe të barabarta dhe në fund shpresoj se do të dalim fitues dhe t’i gëzojmë tifozët që do të jenë të pranishëm në stadium”, theksoi Muriqi.

Ai foli edhe për lojtarët e rinj që i janë bashkuar Kosovës në këtë grumbullim, Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha.

“Kisha rastin të njoftohesha me lojtarët. Janë lojtarë me kualitet të lartë. Do t’ia shohim hairin edhe Leonit, edhe Veldinit. Besoj se do ta përfaqësojnë shtetin tonë në mënyrën sa më të mirë”, u shpreh Muriqi.

Sulmuesi shtoi se mungesat e Edon Zhegrovës dhe Milot Rashicës janë të rëndësishme, por ekipi ka treguar se mund të marrë rezultate pozitive edhe me mungesa të tilla. Ai po ashtu vlerësoi lart Albion Rrahmanin dhe Fisnik Asllanin, për të cilët tha se mund të jenë bartësit e sulmit në të ardhmen.

“Unë jam këtu për t’i përkrahur dhe është nder të përfaqësoj Kosovën. Personalisht mendoj se Albion Rrahmani dhe Fisnik Asllani janë më të mirë se unë. Shpresoj që një ditë ta thyejnë rekordin tim të golave te Kosova”, tha Muriqi.

Pas tij foli përzgjedhësi Franco Foda, i cili theksoi se Kosova synon të tregojë një paraqitje ndryshe kundër Zvicrës krahasuar me ndeshjet e kaluara.

“Tri ndeshjet paraprake kanë përfunduar baras, por nesër duam të bëjmë presion më lart dhe të tregojmë kurajë me topin. Synimi është të marrim rezultatin më të mirë të mundshëm”, tha Foda.

Ai vlerësoi Zvicrën si një ekip shumë të fortë, por shtoi se Kosova mund të befasojë të gjithë në këtë grup.

“Nuk jemi të frikësuar, por kemi respekt për Zvicrën. Nëse arrijmë kualifikimin do të ishte një histori e madhe për ne. Futbolli ka treguar shumë tregime të tilla dhe shpresoj të shkruajmë një të re për Kosovën”, theksoi tekniku gjerman.

Ndeshja Zvicër –Kosovë zhvillohet nesër (e premte) në orën 20:45 në stadiumin “St Jakob Park” të Basel-it.